Vetëm një qytetarë në diskutimin publik për statutin e komunës

Statuti i komunës, edhe pse është njëri ndër dokumentet më të rëndësishme të Komunës së Ferizajt, qytetarët nuk morën pjesë për të diskutuar rreth ndryshimeve që pritet të bëhen në statutin e komunës.
Këtë të mërkurë është dashur të mbahet diskutimi publik për të draft statutin e komunës, por vetëm një qytetarë morri pjesë në këtë diskutim.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Xhavit Zariqi, ka theksuar se kjo është bërë praktikë e qytetarëve që të mos marrin pjesë në diskutime të tilla.
“Pavarësisht njoftimeve që janë bërë si në mjetet e informimit , shpalljeve të ndryshme qytetarët nuk marrin pjesë. Varet se çfarë teme nxirret për diskutim publik, ka raste të shumta që qytetarët marrin pjesë masovikisht, për shembull në diskutimin publik për dhënien e banesave me qira në pronësi të komunës, e kemi pasur këtë sallë plot, sepse qytetarët vlerësojnë më shumë interesat e tyre personale se sa interesin e përgjithshëm”, është shprehur Zariqi.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Xhavit Zariqi, ka thënë se në këtë diskutim publik është dashur të marrin pjesë edhe institucionet e ndryshme të cilat janë të lidhura drejtpërsëdrejti me këtë lëmi.
“Ne tashmë do të vazhdojmë me procedurat tjera siç është e paraparë me ligj. Një muaj qytetarët kanë të drejtë të dërgojnë vërejtjet apo sugjerimet me shkrim, por këtu mund të them se është keq se kanë munguar disa institucione që nuk kanë marr pjesë, për shembull, Shoqata e Avokatëve është dashur të merr pjesë dhe të diskutojë për statutin e jo qytetarët e thjeshtë, që nuk kanë shumë të bëjnë me këtë dhe me ligjet, por kanë të bëjnë me punën”, tha Zariqi.
Draft statuti i komunës së Ferizajt, është hedhur në diskutim publik pas vendimit të Kuvendit të Komunës. /Indeksonline/