Vetëm traktat paqeje ose hapen debate të rrezikshme

Me fillimin e takimeve në mes të Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiq kanë filluar edhe të prognozohen fundet e mundshme të këtij dialogu, fund ky i cili për qeverinë e Kosovës është nënshkrimi i një traktati paqeje në mes të dy vendeve.
Në Serbi një mundësi e tillë mohohet kategorikisht, madje kryeministri Daçiq ditë më parë ka propozuar që për Kosovën të nënshkruhet një lloj marrëveshjeje sikurse ajo e Dejtonit, me anë të së cilës edhe përfundoi lufta në Bosnje dhe Hercegovinë.
Por për analistët politik në Kosovë një mundësi e tillë shihet si e pamundur dhe kjo për shumë arsye.
Analisti politik Emrush Ujkani thotë se sa i përket Kosovës Bashkësia Ndërkombëtare i ka shfrytëzuar të gjitha mjetet e tilla dhe se me shpalljen e pavarësisë mundësia e një “Dejtoni” të dytë është pamundësuar.
“Në fakt nuk besoj që do të ketë nevojë për një konferencë tjetër, unë mendoj se në Kosovë Bashkësia Ndërkombëtare i ka shpenzuar të gjitha mjetet për të ardhur deri te kjo që është sot dhe i pëlqej ose nuk i pëlqej dikujt, kjo ka qenë pjesë e negociatave dhe negociatat shpeshherë mund të përfundojnë edhe me pajtim ose edhe si në rastin konkret të Kosovës për të cilën serbët nuk janë pajtuar por ndërkombëtarët kanë rënë dakord dhe e kanë quar përpara idenë, e që është pavarësia e Kosovës” thotë Ujkani për Indeksonline.
Mendim të njëjtë ndan edhe analisti Leonard Kerquki. Sipas tij ne tani kemi shtet dhe nuk jemi në luftë me Serbinë.
"Marrëveshja e Dejtonit ndali luftën dhe krijoi Federatën e Bosnje Hercegovinës. Ne nuk jemi në luftë me Serbinë aktualisht dhe shteti ynë është tashmë i konsoliduar”, thotë Kerquki për Indeksonline.
Për Kerqukin, dialogu duhet të vazhdojë dhe në këtë mënyrë të vije deri tek nënshkrimi i ndonjë traktati i cili edhe do të mundësonte paqen në mes të dy vendeve.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme të ketë një ceremoni formale ku liderët e dy vendeve nënshkruajnë marrëveshjen - ky akt do t'i ndihmonte Kosovës për të përçuar mesazhin e përfundimit te epokës se problemeve me Serbinë, çka do t'i hapte rruge njëherësh edhe vendosjes se raporteve normale me shtetet tjera që aktualisht hezitojnë ta njohin realitetin e krijuar ne Kosove me 17 Shkurt 2008", thekson Kerquki.
Për Ujkanin një marrëveshje e re për Kosovën nga realiteti i tanishëm do të ishte i rrezikshëm.
“Unë mendoj se në këtë mënyrë do të vinim deri te një marrëveshje e re në jo në mes të Kosovës dhe Serbisë por në mes të vendeve që e kanë njohur Kosovën dhe atyre që nuk e kanë njohur prandaj në këtë rast nuk besoj që do të ketë një konferencë të tillë. Një konferencë e tillë do të hapte dilema në mes të vendeve që e kanë njohur Kosovën dhe atyre që nuk e kanë njohur” thotë Ujkani./Mimozë Hamza/Indeksonline/