Veteranët e UÇK nuk lejohen të marshojnë, bojkotojnë institucionet

Organizatat e dalura nga Lufta e UCK-së kanë marrë vendim që të tërhiqen nga Këshilli Organizativ për shënimin e 5 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Ata kanë njoftuar se nuk do të jenë pjesë e asnjë aktivitetet të organizuar nga institucionet shtetëtrore – Presidenca, Kuvendi, Qeveria dhe komunat.
Nëpërmjet një komunikate këto organizata kanë bërë të ditur edhe arsyen e këtyre vendimeve.
“Ishte e paraparë që në marshin e 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, së bashku me FSK-në të marshojnë edhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç bëhet në të gjitha vendet e lira e demokratike, në festat me rëndësi kombëtare e shtetërore. Fatkeqësisht vendimi që në këtë marsh të mos marrin pjesë veteranët e UÇK-së, tregon servilizmin e institucioneve ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe atyre që UÇK-në e kanë halë në sy”, thuhet në komunikatë.
Pas këtij vendimi që sipas tyre shkel vlerat e luftës, ata kanë vendosur që aktivitetet për nder të kësaj dite, t’i shënojmë ndaras nga ato të institucioneve./Indeksonline/