“Komisioni nuk merr kompetencat e KEK-ut dhe ZRRE-së”

Ministria e Zhvillimit Ekonomik si përfaqësuese e aksionarit të KEK-ut, duke pasë parasysh shqetësimet e shumta të konsumatorëve të shprehura edhe me protesta para KEK-ut dhe duke realizuar obligimet e veta ligjore ka vendosur që të themelojë një Komision ndërinstitucional i cili do të monitorojë punën dhe aktivitetet e KEK-ut në përgjigje të ankesave të cilat janë parashtruar dhe të cilat kërkojnë përgjigje të shpejtë dhe të argumentuar.
Në këtë komision, siç thuhet në një njoftim për media, përveç përfaqësuesve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe KEK-ut, me qëllim të mbrojtjes së interesave të konsumatorëve dhe ofrimit të informatave të plota janë edhe përfaqësuesit e Shoqatës se Konsumatorëve.
Ministria thotë se ky komision nuk merr kompetencat e KEK-ut dhe ZRrE-së në procedurat ligjore të shqyrtimit të ankesave, por ka për qëllim që të monitorojë mënyrën e qasjes ndaj ankesave nga ana e KEK-ut, të kërkojë që të mos ketë zvarritje të shqyrtimit të tyre, dhe që asnjë ankesë të mos mbetet pa përgjigje, që përgjigja të jetë e argumentuar dhe e bazuar në fakte dhe ligje, rregullore të aprovuara nga organet kompetente.
Në rastet kur vlerëson se nuk janë respektuar dispozitat e akteve ligjore dhe normative komisioni mund të kërkojë edhe rishqyrtimin e ankesave të tilla nga KEK-u.