Haradinaj e Selimi përkrahin marshin e veteranëve të UÇK-së

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së nuk do të festojnë 5-vjetorin e pavarësisë ashtu siç kishin parashikuar.
“Mospjesëmarrjen në këto aktivitete e bëjmë pa dëshirën tonë por jemi të detyruar për shkak se institucionet e vendit, i anashkalojnë ata të cilët me mundin, sakrificën, gjymtyrët e jetët e tyre, janë më meritorët për shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën e përbashkët të organizatave të luftës.
Mospjesëmarrja e tyre në shënimin e 5-vjetorit të pavarësisë nuk u prit mirë as nga ata që themeluan UÇK-në.
Rexhep Selimi thotë se Organizatat e dala nga lufta një reagim te tillë do të duhej të bënin menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë pas epopesë së UÇK-së më 6 mars 5 vite më parë.
Sipas Selimit, marshimi i veteranëve të UÇK-së nuk është dashur të ndalohet për asnjë arsye, sidomos për festat zyrtare.
“ Ndoshta pesë vitë më vonë organizata e veteranëve të luftës së UÇK-së reaguan por kështu do të duhej të reagonin menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, pas epopesë së UÇK-së ku më 6 mars, atëherë kur është zbritur flamuri shqiptar para qeverisë dhe nuk është vënë më kurrë aty, për të cilin flamur luftuan veteranët e UÇK-së. Kanë të drejtë të jenë të indinjuar për shkak se nuk lejohen të marrin pjesë në paradën e veteranëve të UÇK-së në sheshin “Nënë Tereza”, për asnjë arsye nuk është dashur që të ndalohet marshimi i veteranëvë në festa zyrtare”, ka thënë Selimi për Indeksonline.
“Nëse nuk i doni veteranët në paradë mos u ankoni kur në të njëjtin vend i shihni në protestë”, ka shtuar Selimi.
Lidhur më këtë vendim, edhe Daut Hardinaj, konsideron se qeveria është dashur të gjejë një zgjidhje në mënyrë që të mundësojë defilimin e tyre, edhe psë në këtë 5-vjetor do të marshojnë trupat e FSK-së.
“Ashtu si qytetarët edhe veteranët kanë të drejtë ta festojnë në forma të ndryshme 5-vjetorin e pavarësisë së vendit tonë. Për këtë 5-vjetorë marshojnë Forcat e sigurisë së Kosovës, dhe për këtë besoj se veteranët e UÇK-së duhet dhe do të jenë krenarë, megjithatë, mendoj se qeveria është dashur që të gjejë ndonjë zgjidhje në mënyrë që të përfshijë edhe defilimin e veteranëve të UÇK-së”, ka thënë Haradinaj./M.Mustafa/Indeksonline/