E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veteranëve, paraburgim edhe dy muaj

Nga Express më 04 shkurt 2011 në ora 11:15

Dy veteranëve të luftës së UÇK-së nga Apterusha e Rahovecit, të arrestuar një muaj parë, nga policia e EULEX-it, Ejup Kabashit dhe Haxhi Mazrekut, Kolegji Penal pranë Gjykatës së Qarkut në Prizren, ia vazhdoi kohëzgjatjen e paraburgimit edhe për dy muaj.

Në ballafaqimin e parë me prokurorin e procedurës paraprake të EULEX-it, që vepron në kuadër të Gjykatës së Qarkut Prizren, ata morën vendimin për kohëzgjatjen e paraburgimin prej 30 ditësh, duke kërkuar hetime lidhur me një sulm ndaj një shtëpie serbe në Apterushë.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) pat njoftuar se arrestimi i tyre ka të bëjë me kontekstin e disa hetimeve, të cilat kanë të bëjnë me krime të luftës. Gjithnjë sipas këtij njoftimi, akuzat ndaj tyre ndërlidhen me ushtrimin e masave të kërcënimit dhe terrorit, zhvendosjen dhe shpërnguljen e popullatës civile, vepra këto të kryera mes datës 17 dhe 19 korrik 1998 në Rahovec dhe në fshatrat përreth.

Në akuzën e ngritur nga Prokuroria, thuhet se Kabashi, Mazrreku dhe Sokol Bytyçi, i cili ndodhet në arrati kanë marrë pjesë në sulmin me armë ndaj kësaj shpie në fshatin e tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›