E Diel, 1 Nëntor 2026

GDN e mat progresin

Diplomatë të 27 shteteve, anëtare të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, do të diskutojnë për progresin e arritur në Kosovë të martën në Bruksel. Para tyre do të flasë zëvendësministrja Vlora Çitaku, por edhe publicisti Veton Surroi. Nga Express më 04 shkurt 2011 në ora 11:05

Drejtorët për Ballkanin të shteteve që përbëjnë Grupin Drejtues Ndërkombëtar do të mblidhen të martën në Bruksel për të diskutuar lidhur me të arriturat në Kosovë, veçanërisht për shkallën e zbatimit të planit të Marti Ahtisaarit.

Ky grup përbëhet nga 27 shtete, të cilat i kanë dhënë mandat Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, të mbikëqyrë zbatimin e planit të Ahtisaarit.

“Si edhe herëve të tjera, në këtë mbledhje do të shqyrtohet progresi që është bërë nga Republika e Kosovës në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin”, kanë thënë përfaqësues të Zyrës së Pieter Feithit.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, para diplomatëve ndërkombëtarë do të flasë zëvendësministrja Vlora Çitaku, ka njoftuar Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO).

Përveç saj, për zhvillimet e fundit në Kosovë është ftuar të flasë edhe publicisti Veton Surroi, ka thënë për Express një zyrtar ndërkombëtar në Prishtinë.

Një nga temat e drejtorëve për Ballkanin do të jetë shqyrtimi i mundësisë së reduktimit të mëtejmë të stafit të Zyrës Civile Ndërkombëtare.

Gjithashtu, diplomatët në këtë takim do të diskutojnë edhe rreth kompetencave ekzekutive të Pieter Feith, por nuk pritet që kërkohet reduktimi i tyre.

Në agjendë mund të hyjë edhe kohëzgjatja e mandatit të Feithit. Para se të vendoset për këtë çështje, duhet të pritet se çfarë vendimi do të marrë Bashkimi Evropian lidhur me Përfaqësuesi Special të BE’së në Kosovë. Të dy këto poste i mban diplomati holandez tashmë dy vjet.

Mandati i Pieter Feith si Përfaqësues i BE’së skadon më 28 shkurt, megjithatë ende nuk ka vendim nëse ky mandat do të vazhdohet edhe për disa muaj apo do të emërohet një përfaqësues i ri evropian.

Shtete anëtare të Grupit Drejtues janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika e Çekisë, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Hungaria, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Polonia, Sllovenia, Zvicra, Suedia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›