E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvaret në burg 44-vjeçari

 

I penduar se kishte shtyrë bashkëshorten në vetëvrasje, pas dy tentativash për vetëflijim në qeli, një i paraburgosur i dha fund jetës në qelinë e Burgut 313. Besnik Hasa, 44 vjeç, u gjet i varur dje në orën 10:55 në këmbën e krevatit, në qelinë e tij tek Burgu 313. Babai i katër fëmijëve, që prej 4 muajsh kishin mbetur jetimë nga nëna, i ka dhënë fund jetës kur njëri nga shokët e qelisë ishte në gjyq, ndërsa shoku tjetër ndodhej në dhomë, madje i ka dhënë ndihmën e parë viktimës. Burime nga paraburgimi “Jordan Misja”, bënë të ditur se roja që ka gjetur 44-vjeçarin të varur me këmishë tek krevati, ka lajmëruar gardianët e tjerë dhe drejtorin e burgut për ngjarjen. I vetëvaruri është dërguar në urgjencën e spitalit “Nënë Tereza”, ku ka mbërritur ende i gjallë. Me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, në orën 11:16 minuta 44-vjeçari ka ndërruar jetë nga asfiksia. Besnik Hasa, 44 vjeç nga Kukësi dhe me banim në Bathore të Tiranës, priste të gjykohej për akuzën se kishte shtyrë bashkëshorten e tij, Elisabeta Hasa, në vetëvrasje. Ngjarja ka ndodhur më 7 janar të këtij viti, ndërsa një ditë më pas i vetëvaruri u arrestua nga policia. Babai i katër fëmijëve, sipas psikologeve të burgut, javët e fundit kishte shfaqur i çekuilibrim dhe ishte shprehur se nuk i duhej më jeta pas vdekjes së bashkëshortes. Burimet nga policia thanë se 44-vjeçari ka tentuar të vetëvarej me çarçaf edhe dy herë të tjera në Burgun 302 dhe një herë në spitalin e burgut, ku ishte mbajtur më parë.
VETEVARJA E GRUAS
Besnik Hasa në momentin që është arrestuar, më 7 janar të këtij viti, ka deklaruar në polici se ai kishte rreth dy muaj e gjysmë para se e shoqja Elisabeta Hasa, të vetëvritej, të ketë pasur konflikte me të, pasi ishte bërë xheloz. Shkak për të cilin kishte pirë pije alkoolike dhe e ka goditur atë me grushte dhe shpulla. Më 7 tetor 2008, ajo ishte larguar nga banesa së bashku me katër fëmijët e saj dhe kishte shkuar në Laç. Pesë ditë më pas, më 12 tetor ajo është kthyer në banesë së bashku me fëmijët, duke pohuar se gjatë këtyre ditëve kishte qëndruar së bashku me fëmijët në Kishën e Shënanoit, si dhe nuk donte ta denonconte burrin për dhunën që ai kishte ushtruar ndaj saj. Që nga dita e kthimit të Elisabetës, Besniku kishte ushtruar dhunë fizike në disa raste, duke e goditur me grushte dhe shpulla, për shkak të xhelozisë, duke e keqtrajtuar në mënyrë të vazhdueshme. Ditën e krimit, për shkak se nuk kishte pirë ilaçet e gjumit, Besnikun nuk e ka zënë gjumi dhe rreth orës 01:00 të 7 janarit është ngritur nga krevati dhe ka zgjuar Elisabetën. Kjo është çuar menjëherë në këmbë. Pas kësaj ai i ka thënë: “Deshe të vrasësh veten! Merre litarin e djepit dhe varu”. Pas kësaj, ai ka kapur litarin e djepit që ndodhej pranë krevatit dhe ia ka hedhur asaj. Ajo e ka marrë litarin që i ka hedhur i shoqi dhe pa thënë asnjë fjalë ka hipur te parvazi i dritares së dhomës së gjumit, e ka lidhur litarin te kangjellat e dritares, ndërsa anën tjetër pasi e ka bërë lak, e ka vendosur në qafë dhe është hedhur jashtë. Besniku, megjithëse i ka parë të gjitha këto veprime të viktimës, që nga dhënia e litarit për t’u varur, nuk ka reaguar.                                 e.d

Vdekja e gruas, Hasa u dërgua në gjyq

TIRANE – Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për Besnik Hasën në ditët e para të muajit maj, duke dërguar në Gjykatën e kryeqytetit për shqyrtim dosjen penale të hapur ndaj tij. Sipas burimeve zyrtare, 44-vjeçari Hasa pritej të gjykohej për akuzën “shkaktim vetëvrasje”, lidhur me ngjarjen e ndodhur më 7 janar 2009, kur gruaja e tij vrau veten në banesë. Hetimet treguan se bashkëshortja e Hasës ishte dhunuar vazhdimisht nga i shoqi, ndërsa në momentin kur ka ndodhur ngjarja, dyshohet se 44-vjeçari kishte ndikuar në veprimet e gruas së tij. Bazuar në provat e grumbulluara gjatë hetimeve për vetëvrasjen e gruas, policia dhe më pas edhe prokuroria ngritën akuzë për shkaktim vetëvrasje ndaj Besnik Hasës, i cili u arrestua një ditë pas vdekjes së bashkëshortes së tij. Hasa mbahej i izoluar në pritje të nisjes së procesit gjyqësor në Gjykatën e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›