E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevë te 313-ta, të burgosurit refuzojnë ushqimin

 

TIRANE – Prej mesditës të së enjtes, rreth 70 për qind e personave të paraburgosur në Burgun 313 në Tiranë pretendojnë se kanë hyrë në grevë urie. Ata kanë refuzuar ushqimin e burgut dhe nuk pranojë të hanë në shenjë proteste deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Me një listë prej disa kërkesash pretendojnë kushte më të mira jetese dhe shkarkimin e drejtorit të këtij institucioni. Personat e paraburgosur pretendojnë afera korruptive nga drejtuesi dhe administrata e burgut, si edhe arrogancë e provokime nga punonjësit me uniformë. Mësohet se listën me kërkesat e parashtruara do t’ia dërgojnë kryeministrit të vendit, Sali Berisha, ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani, si dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra. Burime nga paraburgimi 313 thanë se deri mbrëmjen e djeshme gjendja shëndetësore e të burgosurve ishte e mirë. Drejtori i Burgut, Shkëlqim Kalemi, i kontaktuar nga “Panorama”, mohoi protestën dhe vërejtjet e të arrestuarve kundrejt tij. “Ka pasur pretendime nga personat që mbahen në burg lidhur me hapjen e dyerve të qelive për shkak të temperaturave të larta. Ne kemi refuzuar t’i hapim të gjitha dyert për disa ditë, për shkak të masave të sigurisë. Gjendja tani është normalizuar, pasi i kam sqaruar të gjithë të dënuarit duke komunikuar me ta në çdo qeli”, tha drejtori i 313-ës, Shkëlqim Kalemi. Nga burime të tjera brenda burgut pretendohet ndërkohë se pjesa më e madhe e të paraburgosurve refuzoi ushqimin prej mesditës të së enjtes në vaktin e drekës. Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të kontaktuar nga “Panorama”, mohuan të enjten refuzimin e ushqimit nga të paraburgosurit e Burgut 313. Ndërsa dje burime pranë këtij institucioni konfirmuan lajmin, si edhe bënë të ditur pretendimet dhe kërkesat e të mbyllurve në qeli. “Ne të paraburgosurit e 313 kërkojmë largimin e drejtorit Shkëlqim Kalemi”, thuhet në listën e kërkesave. Të arrestuarit pretendojnë se nga administrata e burgut ka korrupsion, ku çdo shërbim kryhet vetëm nëpërmjet pagesës “nën dorë”. Gjithashtu të paraburgosurit pohojnë në parregullsi në kryerjen e shërbimit nga punonjësit e policisë, e cila “u vështirëson mjaft jetesën aty”. “Shërbimi nga ana e punonjësve të policisë ka mangësi të theksuar, gjatë kontrollit nga shefat e kateve bëhen me fyerje dhe provokime”, thuhej në listën e tyre të pretendimeve. Ndërsa kërkojnë kushte më të mira, më shumë ajrim, takime më të zgjatura me familjarët, më shumë telefonata si edhe heqjen e kufizimit të ushqimeve nga familja.                        ar.ba

KERKESAT E TË BURGOSURVE

  dyert e qelive të lihen të hapura nga data 1 qershor deri më 1 shtator, pasi nxehtësia brenda qelive nuk durohet;
  banjot të kenë higjienë e ujë të vazhdueshëm, pasi gjendja është skandaloze;
  çdo të paraburgosuri t’i mundësohet një takim dhome me familjarët në muaj e kohëzgjatja të jetë një orë;
  çdo të paraburgosuri t’i lejohet të flasë katër herë në javë në telefon;
  të hiqet kufizimi i ushqimeve dhe familjarëve t’i krijohen kushte gjatë pritjes në takime; 
  çdo sektori tre aktivitete në javë në fushën sportive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›