E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvaret në shtëpinë e vjehrrit 43-vjeçari

Pogradec- Një 43-vjeçar nga Berati i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në shtëpinë e vjehrrit të tij, në fshatin Buçimas të Pogradecit.

Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se Perlat Panaskuari, prej disa ditësh kishte ardhur nga Berati në fshatin Buçimas. Ai pasi ka takuar fëmijët e tij, djalin, 18-vjeçar dhe vajzën, 16-vjeçare ka dalë me disa shokë dhe është kthyer në shtëpi, orë më pas.

Duke mos lënë të kuptohej asgjë nga sa kishte ndër mend të bënte, ai ka vepruar në qetësi të plotë. Ka dalë në oborr dhe është vetëvarur në një pemë. Familjarët e kanë gjetur pa jetë dhe kanë bërë vetëm lajmërimin e policisë, pasi për 43-vjeçarin nuk ka pasur asnjë shpresë.

Pasi është këqyrur vendngjarja, kufoma është çuar në morgun e qytetit ku është kryer ekspertiza mjeko-ligjore, sipas të cilës vdekja ka ardhur si rezultat i asfiksimit nëpërmjet mbytjes nga kordoni.

Në polici, të afërm të tij kanë dëshmuar se viktima ka qenë i stresuar, pasi kishte probleme ekonomike dhe jetonte me borxhe.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›