Bumçi, bashkëpunim me opozitën për reformat
Tiranë- “Reformat më kryesore në vend, përfshirë edhe atë për procesin zgjedhor do të bëhen në bashkëpunim me opozitën”. Kështu është shprehur sot gjatë një deklarate për mediat, Aldo Bumçi, ish ministër i Drejtësisë dhe zëdhënës i grupit të PD-së.
Sipas tij, bashkëpunimi do të vazhdojë jo për hir të votave të domosdoshme në Kuvendin e Shqipërisë, por sepse reforma të tilla janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me formimin e shtetit.
“Reformat zgjedhore nuk mund të bëhen pa opozitën, sepse zgjedhjet janë themeli i demokracisë dhe stabilitetit politik të vendit”- tha Bumçi, duke theksuar se pjesa kryesore e reformës, lidhur me ndryshimet kushtetuese tashmë është e kryer.
Bumçi ka kujtuar ligjin për pushtetin gjyqësor, kaluar në parlament së bashku me opozitën, duke e cilësuar atë si një nga ligjet kryesore të sistemit të drejtësisë.