Kategoria Superiore, Flamurtari bën detyrën ndaj Besës

Kuqezinjte e Maganit marrin tri piket dhe kreun e klasifikimit. Devolli, autori i golit “te arte”
Një gol i shpejtë i mesfushorit Bledar Devolli i mjaftoi Flamurtarit për të mposhtur Besën dhe për të rimarrë kreun e Superligës. Kavajasit pas javës së 14-të nuk ndërrojnë pozicion, mbeten në fund.
Takimi
Mesfushori nga Gjirokastra u ka mjaftuar kuqezinjve të drejtuar nga Gugash Magani për të mundur Besën e Kavajës, edhe pse minimalisht, duke i lënë verdhezinjtë sërish në vendin e fundit. Një lojë e fortë mes këtyre dy skuadrave është zhvilluar në qytetin bregdetar, ku vendasit, nën presionin e ruajtjes së kreut, kanë vuajtur jo pak kundrejt kavajasve. Kanë qenë disi me fat, megjithatë, sepse e kanë gjetur golin shumë herët, që në minutën e katërt, çka u ka ardhur disi në ndihmë për ta kaluar ngërçin psikologjik, që vinte nga humbja paraardhëse në kampionat, me Tiranën, dhe eliminimi në Kupën e Shqipërisë, nga Bylisi, mesjavën e shkuar. Nga ana e tyre, kavajasit e drejtuar nga Gerti Haxhiu janë paraqitur mirë në këtë transfertë, kanë tentuar gjithçka për të mos dalë duarbosh, por goli i Devollit ka mbetur përcaktues. Kjo, për faktin se mbrojtja vlonjate ka qenë në lartësinë e detyrës, duke mos lejuar prekjen e portës së vet, ashtu sikurse ofensiva e Besës ka vuajtur, i ka munguar shënjestra e duhur.
Renditja
Me këtë fitore, Flamurtari merr edhe 3 pikë të tjera të çmuara, duke ruajtur diferencën me Skënderbeun, që ka 3 pikë më pak se vlonjatët. Javët në vazhdim të kampionatit do të tregojnë më mirë se cili do të jetë fati i kreut të Superligës, i cili po mëtohet më së shumti nga dy skuadra, Flamurtari dhe Skënderbeu, ndërkohë që Dinamo kampione e shikon veten të përfshirë nga kriza. Në këtë grup skuadrash mund të llogaritësh edhe Vllazninë dhe Tiranën, që nga ndeshja në ndeshje kanë treguar rritje në lojën e tyre, kanë marrë edhe rezultate pozitive.
Rezultatet
Të shtunën
Laçi-Vllaznia 0-1
Bylis-Tirana 1-1
Kastrioti-Elbasani 3-1
Të dielën
Skënderbeu-Shkumbini 1-0
Dinamo-Teuta 1-2
Dje
Flamurtari-Besa 1-0
Ekipi Nd Pikë
1. Flamurtari 14 31
2. Skënderbeu 14 28
3. Dinamo 14 24
4. Vllaznia 14 24
5. Tirana 14 22
6. Teuta 14 21
7. Kastrioti 14 17
8. Laçi 14 17
9. Shkumbini 14 17
10. Bylis 14 12
11. Elbasani 14 9
12. Besa 14 9