Vetevendosja ne Parlament qar apo zarar
Disa semiotikanë kuturisin e thonë se pika e pamjes krijon objektin. Edhe nëse je materialist e s’e përtyp dot këtë, s’mund të mohosh se pika e pamjes ndikon perceptimin. Parë nga dyshemeja, njeriu ngjan gjigand, parë nga tarraca e një shumëkatëshi të duket milingonë. Perceptimi apo imazhi, nga ana e vetë, ndikon marrëdhënien me gjësendet e perceptuara dhe ngjiz kështu realitete të reja.
Afërsisht e njëjta gjë ndodh edhe me fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 12 Dhjetorit. Po ta shohësh si produkt krijohet iluzioni se elektorati kosovar ka luajtur me zararin, po ta shohësh si proces analizat të shpien nga qari, madje goxha qar. Që lexuesi të perceptojë nocionet produkt dhe proces pa hyrë në përcaktime teorike marrim rastin e një fabrike sallami. Produkt do të ishte sallami i prodhuar dhe i ambalazhuar, kurse proces do të ishte gjithë puna e bërë në reparte të ndryshme dhe në rrjedhën e kohës, punë që mund të përmblidhej në fjalët: fut derr e nxjerr sallam.
Themeli i platformës politike të Vetëvendosjes është që shqiptarët të vendosin vetë nëse duhet të bashkohen në një shtet. Ëndërr e bukur, por sot për sot e pamundur! S’është me inat, po me takat, thonë në Gjirokastër, për raste të ngjashme. Çdo sipërmarrje kapitale për vetëvendosje do të shpinte në prishje me faktorin euroatlantik, pikërisht me atë faktor që, pas një shekulli ëndrrash, bëri të mundur pavarësimin e Kosovës. Do të tregoheshim kështu primitivë e mosmirënjohës, se do t’i thoshim dajës derr.
Por kjo, para se të jetë çështje etike, është punë interesi. Bashkë me ndërkombëtarët do të humbisnim garantin për ekzistencën e shtetit dhe kufijve të Kosovës. Kjo do të ishte e keqja e të këqijave. E pra, opsioni i vetëvendosjes, i parë si produkt dhe i strukturuar sipas motos “e duam sot, e duam si të Çekisë e të Sllovakisë, e duam faqekuqe, d.m.th kuqezi”, do të rrënonte edhe atë që është arritur dhe mund të na kthente në pikën e nisjes, si ata vëllezërit muratorë në legjendën e njohur.
Parë si proces, hyrja e Vetëvendosjes në Parlament është ogur i mirë, sepse premton një varg zhvillimesh pozitive si për promovimin e demokracisë në Kosovë, si për forcimin dhe reformimin e Vetëvendosjes, ashtu edhe për një marrëdhënie më funksionale me faktorin ndërkombëtar.
Sipas Gallupit, numri i shqiptarëve të Kosovës që mbështesin idenë e Shqipërisë së Madhe është i konsiderueshëm, madje ka tendenca të forta rritjeje. Në 2008-n shpreheshin pro 54%, në 2010-n shifra arriti 81%. Diferenca mes kësaj shifre dhe asaj që mori Vetëvendosja në zgjedhjet e 12 dhjetorit, dëshmon se shumica e përkrahësve të bashkimit kombëtar janë realistë, bëjnë dallimin mes aspiratës kombëtare dhe mundësive reale për jetësimin e saj. Kjo mund të lexohet si garanci se realiteti kosovar nuk është i prirur të mbështeste veprime të shpejtuara e aventureske, pavarësisht se kush do t’i ndërmerrte ato.
Gjithsesi shifrat e Gallupit dëshmojnë se ligjërimi për çështjen kombëtare në Kosovë mbetet masiv. Është në të mirë të demokracisë që një ligjërim kaq masiv të mos ndrydhet me stereotipat e tabusë, të mos mbetet në zona të errëta informale, por të legjitimohet e të zhvillohet hapur, madje edhe brenda institucioneve. Tabutë shërbejnë si djep që nanuris tensione të fshehta dhe shoqërisht të pakontrollueshme. Hyrja e Vetëvendosjes në Parlament do të ndihmojë që ligjërimi për çështjen kombëtare të bëhet më i hapur e më institucional dhe, pse jo, edhe më me fryt. Politika serbe ka një krah të fortë radikal e nacionalist. Jo një herë rreziku që ai paraqet, e ka shtyrë faktorin ndërkombëtar të jetë mbështetës e indulgjent me Serbinë dhe institucionet e saj.
Me futjen në Parlament, Vetëvendosja kapërcen ylberin politik dhe shndërrohet nga një grupim i shoqërisë civile në një organizatë politike dhe institucionale. Shndërrimi duket sipërfaqësor e formal, zëvendësim emrash a etikete. Parë në proces, gjegjësisht në rrjedhën e kohës, shndërrimi do të synojë tipare thelbësore të Vetëvendosjes dhe alternativave të saj. Si një organizatë politike parlamentare, Vetëvendosja do të jetë e interesuar të ruajë e të shtojë elektoratin e vet. Këtë vështirë se mund ta realizojë vetëm me objektiva afatgjatë, që qëndrojnë në skaj të horizontit të pritjes. Do t’i duhet të premtojë e planifikojë sidomos në terma afatshkurtra e afatmesme. Në këtë kontekst edhe ideja e bashkimit kombëtar në programin e Vetëvendosjes pritet të kalojë nga statusi i misionit në atë të projektit, duke u bërë më realiste e me gjasë, edhe më e aplikueshme.
Vetëvendosja mban një qëndrim të ashpër dhe ekstrem ndaj institucioneve ndërkombëtare të instaluara në Kosovë. Për arsye që u cekën më lart, mund të mos jesh dakord me këtë qasje. Gjithsesi, parë në rrjedhën e kohës dhe brenda institucioneve, edhe ky qëndrim ekstrem mund të funksionalizohet. Si të gjitha gjërat e kësaj bote, edhe administrata ndërkombëtare e instaluar në Kosovë, është larg së qeni perfekte. Përvojat gati të dështuara të simotrës së saj në Bosnjë, të shtyjnë të mendosh se struktura të tilla e kanë të domosdoshme oponencën nga faktorët lokalë. Prania e Vetëvendosjes në Parlament pritet të gjallërojë oponencën ndaj administratës ndërkombëtare gjë që do të krijojë kushte për marrëdhënie sa më funksionale me institucionet lokale.