E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat turistet rastesisht ne vendin tone

Mungojnë paketat e mirëfi llta për pushime dimri, prenotime në Razëm, Voskopojë e Dardhë

Mes dhjetëra e qindra shqiptarëve që do të kalojnë pushimet dimërore, festat, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri jashtë vendit, ka edhe një pakicë turistësh të huaj që mendohet se do të kalojnë pushimet në Shqipëri. Më saktë, ata do të jenë turistë të rastësishëm, pasi numri i kërkesave për të kaluar pushimet në vend është aq i vogël, sa bëhet e pamundur raportimi i tyre në formë statistikore. Të dhënat jepen nga agjencitë turistike në kryeqytet, por edhe nga ekspertë të turizmit.

Sipas referimeve të tyre, një pakicë hotelesh, aq sa mund t’i numërojmë me gishta, japin oferta për ditët e festave, për një tryezë të mbushur plot, për disa alternime argëtimesh. Por paketa të mirëfillta turistike që të kenë destinacion Shqipërinë pothuajse nuk gjenden në formën e një produkti të qenësishëm. Sipas Shoqatës së Turizmit Shqiptar, aktualisht në vend, nuk ka një trend për të mikpritur turistë të huaj, për të ofruar një paketë të plotë pushimesh dimërore, e për më tepër guida turistike njësoj si “produktet” e ofruara për shqiptarët që do të largohen jashtë vendit, me rastin e festave. Nga ana tjetër janë shumë pak agjenci të cilat ofrojnë dhe marrin përsipër për të sajuar tek-tuk ndonjë guidë, aktivitet e për të kënaqur ata pak turistë që mund të drejtohen në Shqipëri, deri në fund të vitit e për çeljen e vitit të ri.

Ofertat

“Numri i turistëve të huaj që mund të vijnë në vend është i papërfillshëm, nuk përbën statistikë, megjithatë në disa prej hoteleve, çdo vit organizohen festa apo aktivitete. Ndodh që të huajt që qëndrojnë në këtë muaj të ndodhen edhe për Vitin e Ri në Shqipëri. Mungojnë paketat dhe ofertat për pushime dimri, megjithatë mund të themi se këtë vit, nisur edhe nga rezervimet, qendra e festimeve do të jetë në Voskopojë, Razëm dhe Dardhë, Llogora dhe Malin e Dajtit”, deklaroi kreu i Shoqatës së Turizmit Shqiptar, Kliton Gërxhani.

Sipas tij, duke qenë se në këto zona, ka reshje dëbore, edhe atmosfera bëhet më interesante dhe kjo është dhe më tërheqëse për ata që duan të organizojnë një pushim disaditor. Por nga ana tjetër, edhe kjo ofertë është e limituar për shkak të infrastrukturës dhe kapaciteteve që disponojnë mikpritësit, bizneset në këto zona. Sakaq, ideologjia që duhet të kemi kur flasim për turizëm në dimër lidhet me ofertat që jepen për vendasit. Nëse vendasit janë të kënaqur me to, atëherë mund të flasim për ofertë e çfarë produkti mund të sigurojë tregu shqiptar për turistët e huaj. Sakaq, ekspertët nuk parashikojnë rritje të turistëve nga Kosova, Mali i Zi, apo Maqedonia.

Të ardhurat

Të dhënat zyrtare kanë shfryrë përfundimisht ‘boom’-in e pretenduar turistik të vitit 2010, duke raportuar për herë të parë në vitet e fundit rënie të të ardhurave nga turizmi.

Banka e Shqipërisë, autoriteti kompetent për llogaritjen dhe publikimin e të dhënave të turizmit, njoftoi se në nëntë muajt e parë të këtij viti, periudhë që përfshin kulmin e sezonit turistik, të ardhurat nga turizmi jo vetëm që nuk u rritën krahasuar me vjet, por ranë me 5.7 për qind.

Sipas bankës deri në fund të shtatorit, ekonomia shqiptare ka fituar nga turizmi 960 milionë euro, ose 59 milionë euro më pak se sa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Veç tkurrjes së të ardhurave, të dhënat tregojnë se këtë vit, për herë të parë gjatë viteve të fundit, edhe shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë shtetit kanë rënë.

Sipas bankës në nëntë muajt e parë të vitit, shpenzimet për udhëtime jashtë u ulën me 12.8 për qind, ose 115 milionë euro.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›