E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosja proteston kundër “veprimit shkombëtarizues”

Në organizim të Lëvizjes "Vetëvendosje", mijëra qytetarë protestuan sot në Prizren kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ndryshime në logon e Komunës së Prizrenit, në të cilën paraqitet shtëpia e Lidhjes së Prizrenit. Pas përfundimit të demonstratës, “Vetëvendosja” ka njoftuar se janë arrestuar pesë aktivistë të saj.

Me thirrjet "Lidhja është gjallë", "Një flamur një Komb" etj, mijëra qytetarë të Prizrenit, të komunave të tjera, por edhe vise të tjera shqiptare, kanë marshuar sot në qendër të qytetit kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ndryshime në logon e Komunës së Prizrenit.

Protestës i janë bashkangjitur edhe qytetarë nga Shqipëria, të cilët thonë se janë këtu për të mbrojtur atë që burrat e kombit vendosën pikërisht në këtë ditë të vitit 1878, raporton RTK

Të udhëhequr nga aktivistët e Lëvizjes "Vetëvendosje", qytetarët kanë marshuar nëpër qendër të qytetit për të ndaluar disa minuta para Kuvendit Komunal të Prizrenit, ku kanë vendosur në muret e tij edhe një pllakat të madh të Lidhjes se Prizrenit.

Sipas një komunikate të “Vetëvendosjes”, në demonstratë morën pjesë rreth 5 000 vetë.

Faruk Dakaj, aktivist i “Vetëvendosjes” në Prizren, ishte i pari që iu drejtua demonstruesve të mbledhur te shatërvani i qytetit. Ai tha se Plani i Ahtisaarit, në emër të të cilit është marrë vendimi për ndryshimin e emblemës komunale, është veprim shkombëtarizues. “Ky vendim po vjen pas një varg veprimesh tjera të cilat filluan me heqjen e flamurit kombëtar, himnin pa tekst, serbizimin e objekteve fetare, kurse tash po synohet që ky shkombëtarizim të shkojë thellë edhe deri te vetë institucionet lokale”.

Më pas, masa u drejtua drejt Kuvendit Komunal të Prizrenit. Përpara objektit komunal, aktivisti nga qendra, Glauk Konjufca, se nëse sot po rrezikohet “Lidhja e Prizrenit”, kjo vjen për shkak se udhëheqësit politikë aktualë, nuk janë sikur ata të “Lidhjes së Prizrenit”.

“Krerët e Lidhjes luftonin me armikun për t’i mbrojtur tokat shqiptare. Krerët e sotshëm luftojnë me njëri-tjetrin për shitjen e tokave shqiptare. Krerët e Lidhjes varfëroheshin për të pasur populli. Krerët e sotëm pasurohen prej parasë së të varfërve - prej buxhetit të popullit”.

Me këtë rast, aktivistët e “Vetëvendosjes” vendosën në hyrjen e objektit të Kuvendit Komunal, emblemën aktuale të këtij institucioni dhe e cila nuk duhet të ndërrohet.

Dhe erdhi çasti kryesor i demonstratës: ndalja përpara shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit.

Aty demonstruesve iu foli veprimtari i njohur i çështjes kombëtare dhe njëri prej themeluesve të UÇK-së, Gani Krasniqi. Ai tha se Lidhja e Prizrenit paraqet ngjarjen më të rëndësishme kombëtare shqiptare pas Kuvendit të Lezhës. “Qëllimet e Lidhjes së Prizrenit ishin edhe brenda vetë luftës së fundit çlirimtare, e cila, në fund u keqpërdor nga njerëz të caktuar për të bërë karriera politike në dëm të Kosovës tha Gani Krasniqi. Dhe në fund shtoi se Lidhja e Prizrenit ka qenë, është dhe gjithnjë do të jetë gjallë”, u shpreh ai.

Për konceptin politik të Lidhjes së Prizrenit dhe rëndësinë e saj si ngjarje politike dhe program që jehon historikisht, foli profesori i filozofisë politike nga Tirana, Hysamedin Feraj. Ai tha se Plani i Ahtisaarit po e shfytyron kombin shqiptar. Sepse po ia shlyen atij vetitë e tij thelbësore. Në fund, Feraj tha se atë që nuk e ka bëri sulltani, e bëri vetë Enver Hasani.

Pas demonstratës arrestohen 5 aktivistë

Pas përfundimit të demonstratës në Prizren, “Vetëvendosja” informon se shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës i kanë përcjellë aktivistët e saj dhe demonstruesit që po shpërndaheshin pas demonstratës. Policia ka arrestuar 5 aktivistë të “Vetëvendosjes”: Arianit Sadikun, Muhamed Shemsiun, Durim Jasharajn, Hekuran Sejfullahun dhe Durim Xhemajlin.

Nëpërmes një komunikate, “Vetëvendosja” thekson se Policia e Kosovës ka filluar të veprojë edhe tinëzisht. “Kanë filluar ta presin përfundimin e demonstratave, t’i presin demonstruesit deri sa të shpërndahen, e pastaj i përcjellin ata për t’i arrestuar. Policia ka filluar të frikësohet nga populli, në vend që të del në anën e popullit”.

Kjo lëvizje i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës “të mos veprojë tinëzisht, por t’i bashkohet popullit të bashkuar”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›