E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvendosje-Kamishit: Profesor analfabet, kur t‘dush publikoj shpifjet

(E plotësuar) Megjithë mosdeklarimin e vet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për pyetjet që i janë bërë nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, disa nga anëtarët e Vetëvendosjes kanë dal në mbrojtje të liderit të tyre.

Ata kanë pranuar se pyetjet e ‘Kamishit’ që edhe u kanë dhënë ultimatum as që janë diskutuar mes anëtarëve të Vetëvendosjes, meqë nuk është parë e arsyeshme.

Shpend Ahmeti e Glauk Konjufca kanë thënë se ato që ka thënë Haxhiu janë shpifje dhe akuza të agjentëve-anëtarë të PDK-së, por nuk kanë lënë edhe pa e ofenduar Kamishin. Mes tjerash, e kanë quajtur edhe profesor analfabetë.

Vetëvendosje nuk e ka parë të arsyeshme të jap ndonjë përgjigje të posaçme apo të dal e të arsyetohet për ato që ka thënë Bekim Haxhiu, ngase sipas tyre ata janë agjentë të SHIK-ut dhe po bëjnë shpifje, shantazhe publike dhe kërcënime.

Shpend Ahmeti ka thënë se krejt këto po bëhen ndaj tyre meqë mendojnë ndryshe para kompromiseve të dhimbshme, që sipas tij, po përgatiten nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Na i kemi thënë që nuk ka nevojë as për afate, le të del edhe atë ditë që ka dal ka mundur ti publikoj nëse i ka, dhe jo të luajë lojna e ti mbajt edhe qytetarët në dyshime dhe në mjegull në këto dy javë kur po dihet që çka po përgatitet. Pse nuk po flitet për takimet e mundshme të kryeministrit Thaçi me Tadiqin, pse nuk po flitet për kompromiset që Kosova do t’i bëjë të radhës për përfaqësimin regjionalë edhe në fund edhe për statusin special të veriut, por po flitet për batanije e suxhukë”, ka thënë ai.

Por deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca është shprehur i bindur se ‘Kamishi’ të enjten do të publikojë diçka, e ato diçka sipas tij, janë shpifjet e radhës.

“Ky deputet është profesor, do të thotë pushteti ka arrit ta bëjë profesor Universiteti njeriun agjentë, i cili është analfabetë, e i cili pa e qel librin kurrë ka arrit të bëhet profesor universiteti në Republikën e Kosovës. Kjo do të thotë që agjenti nëpërmjet shpifjeve arrin të ngritët në karrierë në Republikën e Kosovës dhe këtë ja shpërblen kryeministri, të cilit ai i shërben”, ka thënë ai.

Sipas drejtuesve të Vetëvendosjes, kjo temë as që është diskutuar në subjektin e tyre nga Albini dhe anëtarët e tjerë, ngase sipas tyre u është dukur turp ta diskutojnë dhe ta pyesin ‘a ke qenë në një makinë, me një serbe nën batanije’. Gjithashtu ata janë shprehur se këto akuza nuk e dëmtojnë imazhin e Vetëvendosjes dhe sipas tyre akuzat që po ndodhin veç po u’a forcojnë teorinë se janë në rrugën e duhur.

Kurse sa i përket padis që ata kanë thënë se do ngritin ndaj Policëve të Kosovës që kanë ushtruar dhunë në protestën e 14 janarit, ajo ende nuk e kanë dorëzuar, sepse janë duke u mbledhur fakte. /Kosovapress/

Kamishi: 'Faktet' ia dërgova Florinit

Tërhiqet dhe ndërron taktikë Bekim Haxhiu – Kamishi i PDK-së. “Faktet” që ka për Albin Kurtin e afërt me serbët thotë se ia ka vënë në dispozicion një tjetër njeriu të Vetëvendosjes, kryetarit të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Florin Krasniqi.

“Deshta t’ju njoftoj se të gjitha faktet e disponuara për zotin Kurtin unë ia kam dorëzuar kryetarit të Komisionit, Florin Krasniqi, në mënyrë zyrtare të protokolluar. Besoj që kur t’vjen zoti Krasniqi do t’i ketë në dispozicion. Ai le t’i shqyrtojë me AKI-në, sepse ai ka qenë në zyre dhe i ka takuan, ne jo. Ia kemi lënë Krasniqit të vendosë për faktet për Kurtin”, ka thënë Haxhiu në një mbledhje të Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së.

Për të thënë të njëjtat gjëra, Haxhiu ka paralajmëruar një konferncë për nesër në ora 12:00, pasi që skadon ultimatiumi i tij. (indeksonline)

Krasniqi: Nuk merremi me kamisha e llulla

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk e ka ndërmend që t’iu përgjigjet akuzave të deputetit të Partisë së kryeministrit Hashim Thaçi, Bekim Haxhiu, i njohur si ”Kamishi”, i cili ka thënë se Kurti duhet të japë sqarime për të kaluarën e tij të dyshimtë dhe lidhjet me serbët.

Edhe pse 8 shkurti është caktuar si afat i fundit që Kurti të përgjigjet në pyetjet e shtruara nga ish-agjenti i SHIK-ut, Bekim Haxhiu, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë as sot në ditën e fundit, raporton “Zëri”.

Albin Kurti asnjëherë nuk e ka parë të arsyeshme që të deklarohet për media dhe të japë sqarime lidhur me akuzat e “Kamishit”, porse reagime për këtë çështje kanë ardhur vetëm nga deputetë të partisë së tij, dhe një komunikate të lëshuar për media.

Florin Krasniqi i Vetëvendosjes, i cili njihet edhe për fjalorin e tij të ashpër për kryeministrin Hashim Thaçi dhe PDK-në, ka thënë se subjekti i tij politik nuk dëshiron të merret me spekulimet, siç ka deklaruar ai, të Kamishit.

“Nuk mund të merremi me rrenat e kamishave e të llullave. Nuk kemi kohë për këso gjërash, sepse nëse Vetëvendosja merret me deklarimet e deputetëve të PDK-së, atëherë ata do ta spekulojnë për diçka tjetër”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, Bekim Haxhiu, i njohur si “Kamishi”, ka bërë të qartë se nëse Kurti deri më 8 shkurt në orën 24:00 nuk përgjigjet në pyetjet e tija, atëherë më 9 shkurt do të dal publikisht me të gjitha faktet që posedon për të kaluarën e dyshimtë të Kurtit dhe lidhjet e këtij të fundit me një grua serbe.

“E ka për obligim moral ndaj opinionit që t’i përgjigjet pyetjeve se pse është takuar me serbët në Klinë në vitin 2004? Të tregojë se kush janë ata serbë me të cilët është takuar, a janë kosovarë apo të Serbisë dhe pse ka qenë i mbuluar me batanije kur është takuar me ta? E dyta ka të bëjë me gruan serbe me të cilën është takuar vazhdimisht në Pogradec, si dhe është parë edhe në Prishtinë? E treta, duhet të tregojë se çka përmban letra të cilën e ka marrë më 28 shtator të 2011-ës nga vajza e ministrit të Millosheviqit”, janë pyetjet e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, në adresë të kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti. (Telegrafi)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›