Vetëvendosje: Thaçi e Feith, presion ndaj deputetëve për Hoçën e Madhe

Glauk Konjufca nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, ka thënë se kryeministri Thaçi dhe Piter Feith e kanë përdorur praninë e tyre për të ndikuar në punën e komisionit për Hoçën e Madhe.
“Dje dhe pardje, pra dy ditë më radhë, Piter Feithi dhe kryeministri Thaçi e kanë përdorë praninë e tyre në komision si trysni për deputetët, për kontrabandimin dhe amandamentimin e paligjshëm të ligjit për Hoçën e Madhe. Argumentet nuk kanë qenë në anën e tyre fare, në anën e tyre ka qenë vetëm arroganca dhe pushteti që e kanë. Atyre në këtë rast po u ndihmojnë edhe disa deputetë të cilëve nuk u punon fare koka, por u punon vetëm dora”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se ajo çka ka ndodhur në komision nga Feithi dhe Thaçi është një shembull i keq dhe tregon se si nuk do të duhej të ndodhte.
Sipas tij, po të ishin kaq këmbëngulës Piter Feithi dhe kryeministri Thaçi për të mos u mbajtur zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, sikurse ishin për Hoçën e Madhe, siç tha ai, nuk do të kishte zgjedhje serbe në Kosovë.
Konjufca ka thënë se duke e marrë parasysh këtë praktikë, qeveria po i formëson deputetët në atë mënyrë që ata brengën kryesore ta kenë mbrojtjen e rrogës së tyre e jo mbrojtjen e interesit për të cilin edhe janë të ulur në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkaq, Libur Aliu, që është edhe anëtar i Komisionit për Hoçën e Madhe, ka thënë se kryeministri Thaçi ka qenë ai që gjatë punës së Komisionit i ka caktuar pauzat, kohëzgjatjen e pauzave, duke ndikuar tek deputetët.
Madje, ai ka thënë se pas një pauzë që është bërë për një amendament, ai amendament është përpiluar ndryshe, edhe pse sipas tij, gjatë diskutimeve në Komision i kanë argumentuar se ata kanë të drejtë, me të cilën gjë janë pajtuar edhe Thaçi e Feith.
“Presioni i djeshëm është bërë drejtpërdrejt mbi deputetët. Presioni i djeshëm ka shkuar edhe deri në atë masë saqë nga kryeministri Thaçi është caktuar pauza, është caktuar kohëzgjatja e pauzës, kur duhet të kemi pauzë dhe si duhet të flasim dhe cila do të jetë përmbajtja e amendamenteve. Kulmi ishte ku së fundmi, për njërin prej amandamentet u bë pauzë dhe më pastaj u përpilua, edhe pse në diskutim e sipër ne arritëm t’i mundim ata dhe ata të gjithë arritën ta pranojnë para nesh se ne kemi të drejtë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se gjatë punës së këtij Komisioni kanë pasur mundësinë të shohin nga afër presionin e drejtpërdrejtë ndaj deputetëve.
Ligji i cili ishte përpiluar gjatë pauzës ishte:
“Në rast të mosmarrëveshjeve në mes të Këshillit dhe autoriteteve komunale për çështjet që kanë të bëjnë me ushtrimin e autoritetit të kufizuar të fshatit sipas neneve 6,7 dhe 9 të këtij ligji, palët i referojnë në KZM dhe nëse është e arsyeshme në institucionet kompetente qendrore dhe në gjykatat kompetente për shqyrtim”.
Mirëpo, deputeti Aliu shtoi se me këtë logjikë siç po shkon përpilimi i amendamenteve të këtij ligji, fshati Hoçë merr kompetenca të mëdha karshi autoriteteve komunale, dhe si të tilla mund të ndodh që vetë ata të vendosin për planifikimet e tyre rurale e hapësinore. Ai shtoi se dhënia e të drejtave të veçanta Hoçës, mund të krijojë edhe precedent të tjerë në vend.