E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hajn, hajn!

Futbollistët e Real Madridit e akuzuan gjyqtarin Paradas Romero për “hajni” në barazimin 1-1 me Villarrealin në El Madrigal të mërkurën. Sipas tyre, Romero ua vodhi fitoren. Akuza dhe fyerje të ashpra ndaj tij hodhën Pep dhe Cristiano Ronaldo, kurse trajneri Jose Mourinho, i përjashtuar, refuzoi të flasë në konferencë për shtyp.

Jose Mourinho nuk deshi të flasë në konferencë për shtyp, pas barazimit të Real Madridit me Villarrealin 1-1. Epërsia në tabelë e gjigantit madrilen ndaj Barcelonës brenda vetëm pesë ditësh është shkrirë nga dhjetë në gjashtë pikë.

Mourinho nuk deshi të japë deklarata pasi u përjashtua gjatë ndeshjes. Në mënyrë ironike duartrokiti goditjen e lirë nga e cila Villarreali barazoi rezultatin nëpërmjet Marco Sennas. Nuk ishte ky i vetmi karton i kuq në ndeshje.

Gjyqtari Paradas Romero përjashtoi edhe mbrojtësin e Realit, Sergio Ramos pas dy kartonëve të verdhë, mesfushorin Mesut Ozil për protestë dhe asistentin Rui Faria, andaj madrilenët e përfunduan takimin me nëntë futbollistë dhe pa trajner. Ndarja e drejtësisë më së tepërmi irritoi mbrojtësin Pepe, i cili, sipas raportit të Romeros, pas përfundimit të takimit në El Madrigal e kishte ndjekur gjyqtarin në tunel dhe iu drejtua me “hajn i madh, bir kurve”.

Ngjashëm me Pepen ka reaguar edhe bashkëkombësi i tij Cristiano Ronaldo, i cili nuk e ka fshehur dot zhgënjimin.

Ai i është drejtuar referit Paradas Romero me gjestin me dorë të hajnisë. Mikrofonat e La Sexta e kanë xhiruar Ronaldon të thotë: “Di të vjedhësh, të vjedhësh dhe vetëm të vjedhësh”.

Rekord i zi nga Ramos

Sergio Ramos shkroi emrin e tij në librin e rekordeve të Real Madridit, pas përjashtimit të tij në barazimin 1-1 me Villarrealin në El Madrigal të mërkurën.

Mbrojtësi spanjoll u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 85-të të takimit, pas një ndërhyrjeje ndaj sulmuesit Nimlar dhe si rrjedhojë u përjashtua. Ky ishte përjashtimi i 11-të i Ramosit në ligë prej kur iu bashkua Realit nga Sevilla në verën e vitit 2005. Ai është ndëshkuar me kartonë të kuq më tepër se cilido tjetër futbollist i gjigantit madrilen.

Ruben nuk kishte dy kartonë të verdhë

Mediet madrilene kanë sqaruar se sulmuesi i Villarrealit, Marco Ruben nuk kishte marrë dy kartonë të verdhë kundër Realit.

Edhe pse pamjet televizive dhe fotografitë tregonin se në minutën e 19-të, Romero ndëshkoi Rubenin, në fakt kartoni ishte për Sennan.

Edhe ueb faqet e rezultateve direkte shkruanin fillimisht dy kartonë për Rubenin, por më pas hoqën atë të minutës 19-të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›