Vetëvendosje në protestë, bllokohen gjashtë aktivistë
( i përditësuar) -Lëvizja Vetëvendosje konfirmon që rreth orës 13:30 janë mbajtur të arrestuar për gjysmë ore gjashtë mbështetës të cilë janë: Elvis Hoxha, Gentian Sala, Ermir Harulla, Marsela Hoxha, Taulant Capa dhe Boiken Abazi.
Ky i fundit sapo u lirua. Mësohet se ndaj Taulant Capës është ushtruar dhunë.
***********
Qytetarët vazhdojnë ti bashkohen protestës, në rrugën për Merdare, e cila njihet si vendi i dy urave. Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se janë arrestuar tre aktivistë të saj nga Shqipëria, në Morinë, protestues që po vinin për në Merdare.
Të arrestuarit sipas Vetëvendosjes janë: Elvis Hoxha, Ermir Harulla, Bojken Abazi. Ata u ndaluan për rreth 30 minuta dhe tashmë vijojnë të qëndrojnë në tokën neutrale së bashku me mbështetësit e tjerë që u nisën nga Tirana në orët e para të mëngjesit.
Duke iu referuar mediave kosovare, mësohet se në Merdare, ka shumë më pak protestues se në 14 janar.
Në pikën kufitare Dheu i Bardhë, dy deputetët Liburn Ali dhe ismail Kurtesh kanë ripërsëritur kërkesën drejtuar protestuesve për të qenë të qetë, të padhunshëm dhe për tiu përmbajtur rregullava të paracaktuara.
*******************
Sot lëvizja Vetëvendosje do të zhvilloj protestën e dytë në dy vendkalimet kufitare me Serbinë, pavarësisht faktit se Parlamenti i Kosovës votoi të premten mocionin që rrëzon atë të 7 dhjetorit për reciprocitet me Serbinë dhe mbështet marrëveshjet e arritura në bisedimet Kosovë -Serbi.
Mediat kosovare raportojnë se Vetëvendosje e quajti jokushtetues dhe të turpshëm mocionin dhe thanë se me protestat e sotme synojnë mbrojtjen e republikës dhe prodhimit vendor. Kreu i Vetëvendosje, Albin Kurti, theksoi se me ndërhyrjen e policisë në protestat e 14 janarit, iu hap rruga Serbisë ekonomikisht, ndërkaq me mocionin e 20 janarit, iu hap edhe rruga politike.
Në një deklaratë më të hershme policia e Kosovës ka informuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve, si dhe mallrave përmes vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Në përpjekje për të shmangur një përsëritje të protestës së 14 janarit që u shoqërua me dhunë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dje ka takuar ndarazi drejtuesit e partive politike, të cilëve u ka bërë thirrje që të kërkojnë zgjidhje për të gjitha çështjet brenda institucioneve të Kosovës.