Vetëvendosje uron Bajramin

Lëvizja Vetëvendosje ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e Bajramit të Madh. “Shpresojmë që kjo datë, që shënon përmbylljen e Ramazanit, muajit të agjërimit dhe të përkorjes, t’i gjejë sa më të lumtur besimtarët, sa më të forta familjet e tyre dhe pjesëtarët e kombit tonë sa më të afërt me njëri-tjetrin”, thuhet në fillim të urimit.
Pavarësisht që është ditë feste, kjo lëvizje ka shfrytëzuar rastin që sërish të kritikojë qeverinë e vendit për problemet në shoqëri.
“Pasiguria dhe humbja e shpresës, varfëria ekstreme dhe papunësia masive po i bëjnë qytetarët e Kosovës të marrin rrugët e mërgimit, legalisht ose ilegalisht. Në kushte të tilla, të vendosur përballë një Qeverie shpërfillëse dhe abuzuese, pastërtia dhe angazhimi i besimtarit bëhen kurajë e shprehur në formën e solidaritetit dhe përkrahjes të atyre që nuk po gjejnë drejtësi, që nuk po gjejnë zhvillim, që nuk po gëzojnë mirëqenie”.
VV-ja e përfundon urimin për “një Bajram të Madh sa më të gëzueshëm”, duke shfaqur shpresën se vitin e ardhshëm “kjo festë ta gjejë shoqërinë tonë sa më të shëndoshë, si nga ana shpirtërore e morale, ashtu edhe nga ana materiale”./Indeksonline/