Vetëvendosje zhvillon sot protestën e dytë, në dy pika kufitare me Serbinë
Sot lëvizja Vetëvendosje do të zhvilloj protestën e dytë në dy vendkalimet kufitare me Serbinë, pavarësisht faktit se Parlamenti i Kosovës votoi të premten mocionin që rrëzon atë të 7 dhjetorit për reciprocitet me Serbinë dhe mbështet marrëveshjet e arritura në bisedimet Kosovë -Serbi.
Mediat kosovare raportojnë se Vetëvendosje e quajti jokushtetues dhe të turpshëm mocionin dhe thanë se me protestat e sotme synojnë mbrojtjen e republikës dhe prodhimit vendor. Kreu i Vetëvendosje, Albin Kurti, theksoi se me ndërhyrjen e policisë në protestat e 14 janarit, iu hap rruga Serbisë ekonomikisht, ndërkaq me mocionin e 20 janarit, iu hap edhe rruga politike.
Në një deklaratë më të hershme policia e Kosovës ka informuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve, si dhe mallrave përmes vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Në përpjekje për të shmangur një përsëritje të protestës së 14 janarit që u shoqërua me dhunë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dje ka takuar ndarazi drejtuesit e partive politike, të cilëve u ka bërë thirrje që të kërkojnë zgjidhje për të gjitha çështjet brenda institucioneve të Kosovës.