E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvrasja e Kujtimit, familjarët e viktimave të Gërdecit, letër Topit

UPDATE- Pas tragjedisë në familjen Osmani, kur 43-vjeçari, baba i njërës prej viktimave të Gërdecit u vetëhelmua pasi mbeti i papunë, Shoqata e Familjarëve të Gërdecit i është drejtuar me një letër kreut të shtetit, Bamir Topi dhe institucioneve të tjera.
Në letër bëhet apel për ndihmë, më shumë vëmendje dhe theksohet fakti se pas tragjedisë shteti duket se i ka harruar.

Më poshtë letra e familjarëve

Drejtuar Presidentit të Republikës
Drejtuar institucioneve të drejtësisë dhe gjykatave të të gjitha shkallëve që janë duke shqyrtuar çështje të lidhura me Tragjedinë e Gërdecit.
Drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë të Drejtësisë
Drejtuar Ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale
Drejtuar mediave, gazetarëve dhe të gjithë qytetarëve që ndajnë me ne besimin në triumfin e drejtësisë ndaj krimit tragjik të 15 marsit në Gërdec

Të nderuar bashkëqytetarë!
Dje mësuam me keqardhje lajmin e hidhur për humbjen e jetës të Kujtim Osmanit njërit prej familjarëve të viktimave të Tragjedisë së Gërdecit.
Kjo tragjedi që ka marrë me vete përgjithnjë shpirtrat e të dashurve tanë, ka lënë pas një mori hallesh e problemesh që po persekutojnë familjarët, sikur të mos mjaftonte rëndimi shpirtëror, moral e psikologjik i tyre.
Vetëvrasja e Kujtim Osmanit është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vëmendjes së shtetit ndaj viktimave të tragjedisë. I flakur në tragjedi familjare, pas humbjes së vajzës së tij, ky baba fatkeq 43 vjeçar është përballur edhe me vështirësi të mëdha ekonomike, e me papunësi e probleme të tjera individuale e sociale, të cilat natyrisht që kanë marrë shkak në depresionin e shkaktuar pas shpërthimit. Askush nuk i është gjendur pranë Kujtim Osmanit në momentet e tij të errëta, asnjë shërbim social, asnjë ndihmë ekonomike, asnjë përkujdesje mjekësore, apo detyrime të tjera që shteti e institucionet duhet t'ia ofronin për të zbutur pasojat post-traumatike.
Përveç 26 viktimave që humbën jetën në shpërthimin e mallkuar të 15 marsit 2008, kjo tragjedi vijon të marrë jetë njerëzish. Pak muaj më parë ka humbur jetën si pasojë e depresionit dhe përkeqësimit shëndetësor e psikologjik edhe e ndjera Naile Ahmeti. Dje, u shtua dhe viktima e 28, pas vetëvrasjes së Kujtim Osmanit që prej disa javësh po përjetonte stres dhe depresion të skajshëm. I ndjeri Osmani ditët e fundit të jetës së tij i kaloi nën trishtimin e humbjes së vajzës së tij, por edhe nën poshtërimin që të sjell mbetja pa punë. Ky rast denoncon edhe një herë kushtet çnjerëzore sociale e psikologjike që po përjetojnë familjarët e viktimave, të flakur në varfëri, papunësi, e probleme me strehimin, ndërkohë që fatkeqësia familjare nuk na lejon të përballojmë me të gjitha forcat tona këto probleme jetësore që na prekin.
I drejtohemi institucioneve të së drejtës, i drejtohemi të gjithë qytetarëve që e duan drejtësinë të na mbështesin në rrugën tonë për t'i shpëtuar humnerës drejt së cilës po na shtyn padrejtësia e indiferenca shtetërore. Ktheni vëmendjen drejt Gërdecit, kësaj plage të cilës në rast se nuk i gjenden fajtorët rrezikon të kthehet në kancer social.
Kërkojmë të përshpejtohet shqyrtimi dhe proçedimi i të gjitha çështjeve ligjore që kanë të bëjnë me padrejtësinë që i është kryer viktimave të Gërdecit. Gjithashtu kërkojmë në mënyrë urgjente ndihmë sociale e shërbime shëndetësore të aksesueshme për të gjithë familjarët e viktimave, të cilët në një vit e gjysmë janë lënë në indiferencë të plotë të enden dyerve të institucioneve pa marrë kurrë ndihmën që u takon.

Të bindur që drejtësia nuk do të vonojë, dhe duke ngushëlluar për herë të dytë familjen Osmani.

Me respekt e me dhimbje!

Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit



Vetëhelmohet babai i një prej viktimave të Gërdecit

TIRANË- Një 43-vjeçar, babai i njërës prej viktimave të Gërdecit i ka dhënë fund jetës. Kujtim Osmani, babai i Resmie Osmanit (një nga 26 viktimat e Gërdecit) është gjetur i pajetë në shtratin e tij.

Të dhënat e para të policisë flasin për një vetëhelmim, që dyshohet se është realizuar pas një mbidozimi me ilaçe dhe alkool.

Mësohet se Kujtimi ka ka punuar deri pak ditë më parë si pastrues në bashkinë e Vorës, por më pas u pushua nga puna.

Ata që e njohin tregojnë se ai ka qenë në gjendje shumë të vështirë ekonomike. Ka bërë shumë herë apel për ndihmë, por pa gjetur mundesi.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›