E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvritet një grua në Tiranë

Tiranë, 1 Mars NOA Update Një grua i dha fund jetës pak minuta më parë në Tiranë, pasi u hodh nga apartamenti i saj në katin e pestë të një pallati të ri në rrugën Don Bosko në Tiranë.

Viktima është Shqipe Mustafaj, 35 vjeçe, e martuar, nënë e një fëmije, djalë 3-vjeçar, i thanë NOA-s, burimet policore që i referohen të dhënave të para në vendin e ngjarjes.

Pasi u pa nga kalimtarë të rastit, këta të fundi së bashku me familjarë kanë nxituar ta dërgojnë për ndihmë mjekësore të dëmtuarën.

Burime në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku mbërriti e plagosura, i thanë agjencisë NOA se ajo ndërroi jetë vetëm pak minuta më pas për shkak të dëmtimeve serioze që kishte marrë në kokë dhe në trup.

Gjendja e rënduar psikologjike për shkak të një situate depresive që po kalonte, bënë që e ndjera të ndërmarrë aktin tragjik të vetëflijimit, thanë burimet policore për agjencinë NOA, që gjithsesi shtuan se hetimet do të vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.

e.r/NOA

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›