Hidhen nga pallati dy gra në kryeqytet, njëra vdes
Në rrugën "Don Bosko", një rrobaqepëse vrau veten, ndërsa një e sëmurë psiqike u hodh nga kati i katërt në rrugën e Kavajës
TIRANË- Dy gra në Tiranë vendosën t'i japin fund jetës duke u hedhur nga pallati ku ato jetonin. Ngjarja e parë u regjistrua në Rrugën e Kavajës, ku në mesditë një grua hidhet nga kati i katër i pallatit ku ajo jetonte, duke mbetur e vdekur.
Nga të dhënat e policisë mësohet se viktima quhet Albana Vreto, 39 vjeçe, lindur në Korçë dhe banuese në Tiranë cila jetonte në një apartament në Rrugën e Kavajës. Nga hetimet paraprake të Policisë së kryeqytetit dyshohet se 39 vjeçaraja nga Korça, është vetëflijuar pas një gjendjeje depresive.
Pasi trupi i viktimës është parë në tokë nga banorët këta të fundit kanë lajmëruar policinë, e cila ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet që e kanë çuar gruan drejt vetëvrasjes. Ndërsa vetëvrasja tjetër ndodhi në Rrugën " Don Bosko", pranë një kompleksi të pallateve Hawai, të njohur me emrin kullat e arabit, ku përsëri viktimë ishte një grua.
Nga të dhënat e Policisë mësohet se Shqipe Mustafaj, 35 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, u vetëhodh nga kati i pestë i pallatit nr. gjashtë brenda kompleksit, mbrëmë rreth orës 19 e 30 minuta nga ballkoni i banesës së saj.
Edhe pse 35- vjeçares iu dha ndihma e shpejtë, ajo ndërroi jetë pak minuta pasi mbërriti në Spitalin Ushtarak, për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë në kokë. Viktima është nisur nga familjarët dhe fqinjët për në spital, sapo ajo ishte hedhur nga pallati, por ndërroi jetë. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë së kryeqytetit, duke nisur hetimet për shkaqet e ngjarjes.
Fillimisht në pyetje janë marrë familjaret e viktimës, të cilët janë pyetur për problemet që ka shfaqur 35- vjeçarja ditët e fundit.
Nga të dhënat paraprake që i referohen grupit hetimor, mësohet se po hetohet për vetëvrasjen në kushtet e rënda të depresionit, por hetimet janë përqendruar edhe në pistën e rënies aksidentale nga lartësia prej 12 metrash.
Për të dy këto ngjarje të ndodhura dje në kryeqytet, Policia e Tiranës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së dy grave me banim në Tiranë.