E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti, gjenden tre trupat, në kërkim i katërti

Gjatë kërkimeve të ditës së djeshme është bërë e mundur gjetja e Ilirian Ballës, Petrit Ahmetit dhe Behar Senkollarit


GRAMSH - Ka rinisur mëngjesin e të hënës operacioni për nxjerrjen nga uji të trupave të 4 të aksidentuarve mbrëmjen e së shtunës në vendin e quajtur Mollë-Grabovë në kufi me prefekturën e Korçës.


Gjatë gjithë ditës, forcat RENEA të ndihmuar nga zjarrfikësit, ushtria dhe banorë të zonës kanë arritur të lokalizojnë fillimisht dy kufoma në fshatin Mashan, 10 km larg vendit të ngjarjes, dhe Bërsnik.


Forcat e përfshira e kanë pasur të vështirë nxjerrjen e tyre për shkak të terrenit të vështirë. Pas përpjekjeve është arritur nxjerrja e dy trupave, të cilët për shkak se ishin mjaft të dëmtuar ka qenë e vështirë të identifikoheshin.


Në vendin e ngjarjes ishin familjarët e 4 të aksidentuarve, të cilët kanë bërë identifikimin nëpërmjet veshjeve dhe shenjave të tjera. Kufomat i përkisnin Ilirian Ballës, 38 vjeç, dhe Petrit Ahmetit, 20 vjeç.


Më pas, rreth orës 14:30 u bë e mundur gjetja e trupit të 18-vjeçarit Behar Senkollari. Ende mbetet i zhdukur Elis Sogani, 32 vjeç. Operacionet e kërkimit janë ndërprerë rreth orës 18:00 të së hënës për shkak të errësirës dhe do të rifillojnë mëngjesin e sotëm. Mësohet se rrezja e kërkimit është shtrirë duke iu afruar Kodovjatit dhe më pas Gramshit.


Ndërkohë, ka vazhduar puna për nxjerrjen e mjetit dhe ndërtimin e skenës së aksidentit ku humbën jetën 4 persona. Policia konfirmon se nuk ka shumë shpresa për të gjetur gjallë personin e fundit, duke hedhur poshtë edhe shpresën e familjarëve dhe pronarit të mjetit për një dalje të mundshme të ndonjërit prej personave të ndodhur në automjet. Hetimet e policisë kanë vazhduar paralelisht me kërkimet.


Një aksident mjaft i rëndë automobilistik ndodhi gjatë natës së të shtunës në aksin rrugor Korçë-Gramsh, në vendin e quajtur Mollëgrabovë. Furgoni me targë KO 1893 B i drejtuar nga Ilirian Balla 32 vjeç doli nga rruga dhe pasi rrëshqiti dhjetëra metra në humnerë, ra në ujërat e lumtit Devoll.


Si pasojë e këtij aksidenti humbën jetën shtetasit Ilirian Balla, 38 vjeç, Petrit Ahmeti, 20 vjeç, Behar Senkollari,18 vjeç dhe Elis Sogani, 32 vjeç, të katërt me banim në fshatin Bratilë të komunës Kodovjat të Gramshit.


Furgoni i mallrave udhëtonte nga fshati Bratilë në drejtim të Moglicës së Korçës. Aksidenti është konstatuar rastësisht një ditë më pas rreth orës 09:00 të mëngjesit nga banorë të rastësishëm, të cilët kanë parë furgonin që ndodhej në lumë.


Terreni i vështirë ka vështirësuar kërkimet për trupat e pajetë të 4 të rinjve. Nga të dhënat mësohet se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të mjetit për shkak të terrenit të vështirë të kësaj zone.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›