Vodhën 50 milionë, në pranga pesë vetë

Pronari i një firme veshmbathjeje denoncoi bastisjen e magazinave të tij pranë tregut industrial, nga dy punonjësit e tij
Bllokohet në banesën e një prej të arrestuarve gjysma e mallit të vjedhur, pjesa tjetër ishte shitur me gjysmën e çmimit
TIRANE- Arrestohet hamalli dhe roja, i vodhën 50 milionë tregtarit të këpucëve pasi kishin kopjuar çelësin e magazinës së një firme distrubutor i firmës bullgare "Mat- Star". Policia arreston edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë të dyshuar të tyre, ndërsa një tjetër dërgohet për ndjekje penale në gjendje të lirë.
Policia iu bllokon të arrestuarve një sasi malli këpucë, atlete, pandofla dhe sende të tjera me vlerë rreth 25 milionë lekë në banesën e një prej të arrestuarve, në më pak se një ditë pas denoncimit të të dëmtuarit Dritan Fezollari, banues në Tiranë, pronar i disa magazinave në rrugën "5 maji".
Ervin Golemi, 22 vjeç, ish- punonjës i magazinave të Fezollarit, pushuar një muaj më parë, Rigels Mataj, ish- roje i të dëmtuarit, janë identifikuar dje nga policia si të dyshuarit kryesore të vjedhjes së artikujve të ndryshëm kryesisht këpucë, atlete dhe pandofla nga magazinat e Fezollarit.
Të dyshuar si bashkëpunëtorë të tyre janë arrestuar edhe Adrian Gora, 30 vjeç, dhe Arben Mejdani, 33 vjeç, si dhe është marrë i në ndjekje penale në gjendje të lirë Veli Drizi, 45 vjeç.
Tre personat e fundit sipas burimeve të policisë akuzohen se në bashkëpunim me dy personat kryesorë kanë transportuar në mënyrë të përsëritur mallin e vjedhur nga magazinat e Fezollarit, ndërsa në banesën e njërit prej tyre ishte strehuar edhe malli i vjedhur.
Vjedhja mësohet se ka nisur disa muaj më parë, në kohën kur Ervin Golemi, ishte i punësuar në magazinën e Fezollarit dhe kryente detyra të ndryshme për llogari të të dëmtuarit. Herë pas here ky i fundit i linte çelësin e magazinës ku ndodheshin këpucët, apo të të zyrës, për të kryer punë të ndryshme që i duheshin këtij të fundit.
Gjatë kësaj kohe, dyshohet se Golemi ka kopjuar çelësin e magazinës, dhe çdo pasdite rreth orës 17:30, ai paraqitej tek magazina dhe me rojen e magazinës, fusnin një motokarro në të dhe ngarkonin mallin. Më pas malli shitej tek tregtarët e pakicës për 5 mijë lekë të vjetra pala, nga 18 mijë lekë që ato ishin caktuar për t'u shitur me çmimet e tyre të zakonshme.
Në këmbim të bashkëpunimit të tij me rojen Mataj, Golemi kishte vendosur të ndante fitimin përgjysëm, duke i dhënë për çdo rrugë që ngarkohej një shumë prej 50 mijë lekësh. Gjatë kësaj kohe, pronari Dritan Fezollari, e ka kuptuar se malli po i vidhej nga njerëz të brendshëm dhe për këtë shkak vendosi të largojë punonjësin e tij të besuar nga puna.
Por edhe pas kësaj, rreth një muaj më vonë, bilanci ishte negativ duke qenë se kishte më pak dalje se sa hyrje. Ndërkohë, i dëmtuari ka vënë re se edhe inventari i mallit nuk ishte në rregull.
Mesnatën e të dielës, duke u gdhirë dita e djeshme, në komisariatin e policisë nr.4, është paraqitur, Fezollari, i cili ka kallëzuar vjedhjen që po i ndodhte. Menjëherë hetuesit e krimeve kundër pronës, kanë nisur hetimin dhe kanë zbuluar pesë të dyshuarit të cilët janë shoqëruar menjëherë nga policia.
jatë kontrollit të kryer nga policia në banesën e të dyshuarve, janë gjetur rreth gjysma e sasisë së këpucëve të vjedhura që sipas hetuesve vlera e mallit kap shifrën e 25 milionë lekëve të vjetra.
Pas marrjes në pyetje, policia ka arrestuar katër personat të cilëve iu ka komunikuar akuzën e vjedhjes në bashkëpunim në shuma të mëdha. Një prej të arrestuarve është marrë në ndjekje penale në gjendje të lirë, duke qenë se hetuesit kishin konstatuar se në favor të tij kishte rrethana lehtësuese.
Të arrestuar
Ervin Golemi, 22 vjeç, ish- punonjës
Rigels Mataj 30 vjeç ish- roje
Adrian Gora 30 vjeç
Arben Mejdani 33 vjeç,
Në gjendje të lirë
Veli Drizi 45 vjeç