Vetëvritet polici i Pogradecit

Efektivi i vetëvrarë, Zarif Hamzallari
Vetëvritet në kushtet e depresionit dhe konsumit të tepërt të alkoolit një punonjës i Policisë së Komisariatit të Pogradecit.Ngjarja ndodhi në orët e vona të së enjtes në lagjen Nr.5 të këtij qyteti, ku është gjetur i vetëvrarë me armë zjarri në banesën e tij efektivi Zarif Hamzallari, 40 vjeç. Burime të policisë bënë të ditur se Hamzallari është gjetur i vetëvrarë nga familjarët e tij. Ata janë alarmuar kur kanë dëgjuar një të shtënë, ndërsa kanë gjetur njeriun e tyre të pajetë në mes të pellgut me gjak. Të përballur me këtë skenë të dhimbshme, ata sinjalizuan menjëherë kolegët e të ndjerit. Policia e Pogradecit mbërriti në vendin e ngjarjes, ndërsa nisi hetimet për të përcaktuar shkaqet e vetëflijimit të 40-vjeçarit. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se Hamzallari ishte me detyrë punonjës patrulle në Komisariatin e Pogradecit. Ai ka qëlluar veten me një plumb në kokë duke pësuar vdekjen e menjëhershme. Nga ekspertiza mjeko-ligjore, rezultoi se polici i Komisariatit të Pogradecit, prej 4 vitesh, ka kryer vetëvrasje duke qëlluar veten në kokë me armën e tij të shërbimit. Blutë morën edhe dëshminë e familjarëve të të ndjerit, nga ku sipas tyre vetëflijimi dyshohet të jetë shkaktuar në kushtet e depresionit. Ata i pohuan grupit të hetimit se 40-vjeçari prej disa ditësh kishte shfaqur shenja të depresionit, ndërkohë që ditën që kreu aktin e vetëvrasjes kishte konsumuar pije alkoolike. Sipas burimeve të Policisë, Hamzallari ka qenë në gjendje të dehur kur ka qëlluar për vdekje veten me armën tip pistoletë, të punës. Ai ka qenë jashtë orarit zyrtar të shërbimit kur ka kryer vetëvrasjen, ndërkohë që mësohet se disa orë më parë kishte qenë pjesëmarrës bashkë me forcat e tjera të policisë për ruajtjen e rendit gjatë protestave të militantëve të PS-së në Pogradec. Burime të Policisë bënë të ditur se pista kryesore e hetimit ka të bëjë me mosmarrëveshjet e viktimës brenda familjes. Kanë qenë pikërisht konfliktet e vazhdueshme të tij në familje çka ka ndikuar në ngarkesën emocionale, duke shkaktuar deri edhe vetëflijimin. Gjithsesi, nuk përjashtohen edhe pista të tjera të hetimit, të cilat policia nuk i bën të ditura. Mësohet se viktima ishte baba i tre fëmijëve. Ai jetonte me qira në qytetin e Korçës prej disa vitesh.
4 vjet
më parë, efektivi i vetëvrarë, Zarif Hamzallari, ishte punësuar si punonjës i Policisë së Shtetit. Ai ishte punonjës patrulle pranë këtij komisariati
Fushë-Krujë, vetëhelmohet me fostoksinë i moshuari
Një 76-vjeçar i ka dhënë fund jetës në qytetin e Fushë-Krujës, ndërsa ka gëlltitur një kokërr fostoksinë, bëjnë të ditur burime zyrtare të policisë së Krujës. Sipas burimeve zyrtare të policisë së këtij rrethi, rreth orës 14:55 të së enjtes, Selman Kodra është dërguar për ndihmë mjekësore në gjendje të helmuar dhe më pas ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak Tiranë. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, mendohet se Kodra është vetëhelmuar me fostoksinë. Ndërkohë që Policia ka nisur edhe hetimet për gjetjen e shkaqeve që kanë çuar të moshuarin drejt vetëflijimit. r.n