E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mat, gjendet e pajetë foshnja e porsalindur, nisin hetimet

MAT – Një bebe e sapolindur është gjetur pa jetë dy ditë më parë në fshatin Xibër Hane të komunës Xibër në rrethin e Matit. Dy fëmijë të vegjël, teksa kullosnin bagëtitë në anë të rrugës Xibër Murrize-Xibër Hane, kanë gjetur fare pranë rrugës automobilistike foshnjën. Ata kanë lajmëruar të afërmit dhe një grua, pasi e ka mbështjellë beben me rroba dhe e ka futur në një kuti prej dërrase, e ka varrosur në varrezat e fshatit. Të afërmit e fëmijëve dhe gruas që kreu varrimin e bebes të seksit mashkull, kanë njoftuar policinë lokale për atë çfarë kishte ndodhur. Ngjarja ka shokuar banorët e zonës. Nuk dihet kush e ka lindur këtë bebe dhe nga çfshat është. Ka gjasa që nëna e bebes të ketë nisur udhëtimin e gjatë nga fshatrat e largët të kësaj zone për në maternitetin e Burrelit dhe pasi ka lindur në rrugë, e ka braktisur fëmijën e saj. Ky bebe mund të jetë edhe i ndonjë nëne nga fshatrat e Tiranës apo ndonjë vajze të pamartuar që nuk ka dashur ta mbante beben e sapolindur, thanë banorë të fshatit Xibër Hane. Ata pohojnë se është hera e parë që përjetojnë një ngjarje kaq të rëndë. Sipas tyre, ky është një krim, pasi ky fëmijë nuk duhej braktisur dhe lënë në mëshirë të fatit, në majë të malit. Po ta kishim gjetur gjallë, do të ishte shumë më mirë. Do ta dërgonim në spitalin e fëmijëve në Burrel apo diku gjetkë dhe ai do të rronte. Na vjen keq që e kishin dëmtuar shpendët grabitqarë, pasi nëna e ka braktisur këtë foshnjë, shtuan njerëzit e afërm të fëmijëve që gjetën beben e vogël.                             h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›