E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Emërimi i kryetarëve të Gjykatave jashtë influencave nga klane të caktuara brenda sistemit

Kreu i shtetit, njëherazi drejtues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka deklaruar dje në mbledhjen e këtij institucioni, vetëm dy ditë pasi Kuvendi miratoi me shumicë dërmuese votash projektligjin për riorganinizimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri, se metodika e përzgjedhjes të kryetarëve të gjykatave, duhet të bëhet në mënyrë shumë objektive, larg subjektivizmave e jashtë influencave të segmenteve të caktuara, që pa e paragjykuar. Një ndër pikat më të rëndësishme të rendit të ditës ishte ajo “Për rishikimin e kritereve për emërimin e kryetarëve dhe zëvendëskryetarëve të Gjykatave të rretheve gjyqësore dhe atyre të Apelit”. Sipas Topit rekrutimi mund të bëhet nga vetë rradhët e gjyqësorit porse mund të mos jetë nga komuniteti, mund të jetë nga politika, mjaft që procesi i përzgjedhjes të jetë i pastër. “Ka shumë rëndësi se si udhëhiqet, ka shumë rëndësi se si merr pjesë në këtë proces, ka shumë rëndësi se me sa seriozitet ndiqet ky process Është momenti më i rëndësishëm, kur institucionet e shtetit e strukturat e gjyqësorit, duhet të shtojnë kooperimin e tyre. Debatet publike janë gjithmonë të rëndësishme, por kur gjërat shtrohen në tryezë, është shumë e rëndësishme që kooperimi të bëhet në mënyrë institucionale, të bëhet në mënyrë civile, në mënyrë shumë të pjekur, sepse po projektojmë shtetin e ri modern me standardet që kërkojnë strukturat ku ne do të integrohemi” - deklaroi presidneti. 
Duke i mëshuar këtij fakti, Bamir Topi nënvizoi se, “këtu nuk ka asnjë
lloj shpikjeje, nuk ka asnjë lloj eksperimentimi, standardet janë”. “E kemi shumë të domosdoshme, që të forcojmë standardet etike të komunikimit.  Janë pikërisht ato që krijojnë premisat që i gjithë procesi të jetë i harmonizuar në funksion të qëllimit që kemi. Unë jam i bindur që edhe
kjo çështje kaq e rëndësishme që po merret nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të operojë më tej me shumë sukses, natyrisht do të kërkojë mjaft angazhim, sepse të gjithë duhet të jemi në lëvizje për të ndjekur problemet nga afër dhe,  objektiviteti i vendimmarrjes është ai që konsiderohet më i rëndësishmi", u shpreh Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Më tej kreu i shtetit vlerësoi ligjin e ri për gjyqësorin, miratuar pak ditë më parë nga Parlamenti, si rezultat i kohezionit të vullnetit politik të partive politike parlamentare, për një reformë që është bazale në sistemin e drejtësisë, për t'i dhënë shans pozitiv jo vetëm imazhit pozitiv të Shqipërisë në sfidat e integrimit euro-atlantik, por për t'i dhënë në radhë
të parë “mundësinë çdo qytetari që të ndihet i sigurtë tek drejtësia, pra
për ta kthyer këtë shtet në shtetin e së drejtës, në shtetin e qytetarit”.
Ndërkaq presidenti e cilësoi garën për kryetarë dhe zv.kryetarë të Gjykatave të rretheve Gjyqësore dhe atyre të Apelit, një garë të hapur si për ata që nuk kanë qënë ndonjëherë pjesë e strukturave drejtuese, por edhe për të larguarit, të cilëve u mbaroi mandati drejtues. “Të gjithë janë në garë, në konkurrencë dhe ky është elementi më i rëndësishëm që ua jep edhe ligji. Ky është një moment që duhet t'i interesojë çdo gjyqtari që aspiron të bëhet kryetar apo zv.kryetar i Gjykatave të rretheve gjyqësore dhe atyre të Apelit. KLD, ka të drejtën e vet Kushtetuese, Ligjore që të merret me kriteret, me metodikën, të shqyrtojë rast pas rasti të gjitha ato modalitete që kanë të bëjnë me këtë proçes, në koherencë me ligjin, me frymën e ligjit, me ndjeshmërinë qytetare dhe me ndjeshmërinë  publike. KLD, padyshim duhet t'i kushtojë këtij proçesi të përzgjedhjes një rëndësi mjaft të veçantë, sepse vetë specifika e kushteve të Shqipërisë është e tillë që ka rrethe gjyqësore që nuk kanë përmasat e atyre që ka Tirana dhe Durrësi, ka qytete më të vogla, ku komuniteti në çdo lloj rrethane është mjaft i rëndësishëm për t'u marrë në considerate”- vlerësoi Topi. Në mbledhjen e datës 8 shkurt 2008, Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpalli fillimin e proçedurës së konkurrimit  për vendet vakant në 14 Gjykata (10 Gjykata gjyqësore dhe 4  Gjykata apeli),  pasi   konstatoi  mbarimin e mandatit katërvjeçar në ushtrimin e funksionit të 14 drejtuesve. Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi që në vendet vakante të mësipërme për kryetar të gjykatës, të krijuara për shkak te mbarimit te mandatit katërvjeçar të ushtrimit te funksionit drejtues, kryetarët aktualë, të cilëve u ka mbaruar mandati, do të vazhdojnë në ushtrimin e këtij funksioni deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj për një afat jo më shumë se tre muaj.
Rodrigues-Topit: Reforma në drejtësi, më në fund kaloi nga fjalët tek veprat/Presidenti i Republikës, njëkohësisht Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bamir Topi, priti dje Sekretarin e Përgjithshëm të KLD-së së Spanjës, Selso Rodrigues. Ndërsa vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të Spanjës në drejtim të përsosjes së mëtejshme të sistemit gjyqësor në Shqipëri, kreu i shtetit bëri një paraqitje të ecurisë së reformës gjyqësore dhe ushtrimin nga ana e KLD-së të kompetencave kushtetuese e ligjore, të kombinuara me profesionalizëm. “Vullnetet politike janë të shprehura qartë edhe në sinkron për çuarjen përpara dhe zbatimin e plotë e të suksesshëm të reformës në gjyqësor. Këtë e vërtetoi më së miri edhe miratimi së fundmi me konsensus nga të gjitha forcat politike si të maxhorancës, ashtu edhe të opozitës në Parlamentin shqiptar i ligjit
“Për organizimin e funksionimin e pushtetit gjyqësor. Arritja e këtij objektivi, e shoqëruar me transparencë të plotë, do të rikthente besimin
e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe do të mundësonte edhe plotësimin e kritereve të kërkuara në funksion të përmbushjes së aspiratës së vendit tonë për anëtarësim në Bashkimin Europian”- tha presidenti shqiptar. Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së spanjolle, Rodrigues, vlerësoi arritjet e shënuara në Shqipëri në fushën e drejtësisë, kalimin nga fjalët në vepra konkrete, marrëveshjen dhe frymën konsensuale mbi reformën në gjyqësor, duke vënë në dukje rolin pozitiv dhe moderator të luajtur nga Presidenti i Republikës në këtë drejtim.  Rodrigues theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes forcave politike të të gjithë kaheve, për arritjen e marrëveshjes politike mbi reformat jetike për vendin. Sipas tij, kjo sjell edhe vendosjen e mëtejshme të një paqeje të qëndrueshme shoqërore, zhvillim ekonomik dhe begati për mbarë vendin, aq më tepër tani që roli moderues dhe pozitiv i Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, ka dalë më tepër në pah se kurrë më parë.  Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, Manuel Montobio de Balanse. Zoti Rodrigues ka zhvilluar sot një takim edhe me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, takim ku morën pjesë deputetë dhe ekspertëve të kësaj fushe.Gjatë takimit, zoti Rodrigues, theksoi se pas vizitës në Shqipëri, kthehet në vendin e tij më shumë se i kënaqur, me ndjesinë e mirë për kulturën dhe maturimin e politikës shqiptare. “Në këtë reformë të rëndësishme të drejtësisë, protagonist është parlamenti, si aktori kryesor në sistemin legjislativ dhe jam habitur kur dikush nuk e kuptonte arsyen se përse është pikërisht parlamenti që e ka këtë rol. I gjithë rezultati i punës procesohet në parlament, ndaj është shumë e rëndësishme fryma e bashkëpunimit në të cilën po punohet”- tha zoti Rodrigues. Në këtë drejtim, ai theksoi rëndësinë që ka pakti i forcave politike në momente të tilla, kur Shqipëria dhe shqiptarët në të gjithë rajonin janë në qendër të vëmendjes. “Është një moment ideal për të projektuar imazhin tuaj pozitiv”- deklaroi zoti Rodrigues. Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit, Topalli, nënvizoi se "Reforma në Drejtësi, si shtylla krysore e shtetit, është një sfidë e madhe dhe një nga betejat kryesore të vendit". Gjatë takimit, Rodrigues shprehu mendimin për krijimin e një ligji integral për drejtësinë, i cili të përfshijë Sistemin Gjyqësor, Shkollën e Magjistraturës, KLD-në e të tjerë, për ta bërë kështu më të plotë Reformën në Drejtësi. Kjo ide u mbështet plotësisht nga Kryetarja Topalli, e cila theksoi domosdoshmërinë e klimës së bashkëpunimit dhe të mbështetjes nga Spanja dhe nga vende të tjera mike gjatë këtij procesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›