E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vettel, i pandalshëm

Kampioni i botës në Formula 1, Sebastian Vettel dominoi garën për Shpërblimin e Madh të Turqisë, derisa kolegu i tij nga Red Bulli, Mark Webber fitoi betejën me Fernando Alonson në Ferrari për pozitën e dytë. Për gjermanin, kjo është fitorja e tretë nga katër garat e deritashme të këtij sezoni. Nga Express më 08 maj 2011 në ora 18:27

Kampioni i botës në Formula 1, Sebastian Vettel konsolidoi epërsinë e tij në garë për titull këtë vit, me vozitje të shkëlqyeshme drejt fitores për Red Bullin, në garën për Shpërblimin e Madh të Turqisë.

Gjermani 23 vjeç udhëhoqi nga pol-pozicioni i tij i 19-të në karrierë, deri në fund, duke humbur pozitën e parë vetëm gjatë ndaljeve në pit-stop, derisa siguroi fitoren e tij të tretë nga katër garat e deritashme.

Ishte kjo fitorja e tij e 13-të në karrierë dhe një tjetër ditë feste për ekipin e Red Bullit, pasi kolegu i Vettelit, australiani Mark Webber në xhirot e fundit parakaloi dy herë kampionin Fernando Alonso në Ferrari, për të siguruar pozitën e dytë.

Spanjolli përfundoi i treti në podiumin e parë, këtë sezon, për Ferrarin. Kjo është hera e parë gjatë këtij edicioni që Red Bull përfundon në dy pozitat e para të një gare që u përmbyll me bilanc prej parakalimeve dhe incidenteve të shumta.

Britaniku Lewis Hamilton përfundoi i katërti në McLaren, ndërsa gjermani Nico Rosberg doli i pesti në Mercedes, para Jenson Buttonit në bolidin e dytë të McLarenit. Kampioni i vitit 2009 humbi distancë, pasi planifikoi garë me tri ndalje në pit-stop, ndërsa shumica prej rivalëve të tij shkuan për katër.

Një tjetër gjerman, Nick Heidfeld përfundoi i shtati për Renaultin, para rusit Vitaly Petrov, në bolidin e dytë të Renaultit. Zvicerani Sebastien Buemi nga Toro Rosso dhe ngasësi japonez, Kamui Kobayashi nga Sauberi, morën pikët e fundit duke kompletuar 10 pozitat e para.

Shtatë herë kampioni Michael Schumacher përfundoi i 12-ti për Mercedesin, një pozitë para brazilianit Felipe Massa në Ferrari, ish-koleg i tij. Gara përfundoi në bilanc prej 73 ndaljeve në pit-stop – më së shumti nga gara për Shpërblimin e Madh të Britanisë në Donington më 1993, e zhvilluar në shi dhe e fituar nga legjenda braziliane, Ayrton Senna në McLaren.

Koha fituese e Vettelit ishte një orë, 30 minuta dhe 17.558 sekonda. “Po” bërtiti ai nëpërmjet radios në fund të garës. “Po, kështu duhet. Çfarë gare. Ne e kontrolluam nga fillimi deri në fund. Faleminderit”, tha ai.

Rezultatet e garës:

1 Sebastian Vettel1:30:17.558
2 Mark Webber+00:08.807 sekonda
3 Fernando Alonso+00:10.075
4 Lewis Hamilton+00:40.232
5 Nico Rosberg+00:47.539
6 Jenson Button+00:59.431
7 Nick Heidfeld+01:00.857
8 Vitaly Petrov+01:08.168

Renditja e përgjithshme:

1 Sebastian Vettel68 pikë
2 Lewis Hamilton47
3 Jenson Button38
4 Mark Webber37
5 Fernando Alonso26
6 Felipe Massa24
7 Vitaly Petrov17
8 Nick Heidfeld15

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›