Hasanaj fituesi i gjysmëmaratonës
Meriton Hasanaj e ka zënë vendin e parë në gjysmëmaratonën ndërkombëtare ‘Prishtina 2011’, që është mbajtur të dielën në kryeqytet. Atleti i Besës së Pejës shtegun e gjatë prej 21 km e ka kaluar për 1 orë e 13 minuta e 34 të qindtat e sekondës.
Njëherësh kjo është hera e dytë që një kosovar e fiton këtë garë, e cila qe njëmbëdhjetë vjet rresht organizohet në vendin tonë. Zijadin Kryeziu e pati fituar garën e vitit 2001, derisa në gjysmëmaratonat e tjera patën fituar atletë të huaj.
Mirëpo, Hasanaj tha se i priu fati drejt këtij suksesi, pasi në dallim prej viteve të kaluara, sivjet munguan atletë cilësorë afrikanë. Mungesa e tyre bëri që edhe gara të zbehej për nga cilësia, pasi shumë prej garuesve të huaj ishin pjesëtarë të misionit paqeruajtës në Kosovë, KFOR.
“Nga muaji janar, jam përqendruar në përgatitje enkas për këtë garë. Nuk kam besuar se do ta zë vendin e parë, por pata fat pasi sivjet munguan atletët nga Kenia. Jam mjaft i gëzuar që zura vendin e parë”, deklaroi 22-vjeçari.
Mungesën e atletëve profesionistë nga shtetet e tjera, kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës (FAK), Halil Sylejmani e ka arsyetuar me mbajtjen e maratonave në shtetet fqinje në të njëjtën kohë.
“Në përgjithësi, kjo gjysmëmaratonë ishte mirë e organizuar dhe jam i kënaqur. Sigurisht se më interesante gara do të bëhej sikur të kishim më shumë garues të huaj, por shtetet fqinje si Maqedonia, etj, po na shkaktojnë probleme. Vendet fqinjë e dinë datën e gjysmëmaratonës sonë dhe po i ndryshojnë datat, duke organizuar gjysmëmaratona në kohë të njëjtë me ne”, u shpreh Sylejmani.
Sido që të jetë, Hasanaj fitoi 1200 euro si fitues i garës, derisa vendin e dytë e zuri pjesëtari i KFOR-it, slloveni Peter Sajaveç, kurse i treti në cak mbërriti kosovari Ilir Rudhani. Në mesin e tetë më të mirëve, pesë ishin nga Kosova. Një dominim i tillë i kosovarëve nuk është vërejtur në gjysmëmaratonat e kaluara.
Ndërsa, në konkurrencën e femrave, vendin e parë e zuri Lucia Kimani nga Bonsja, të dytin Maxima Simona nga Rumania, kurse vendi i tretë i takoi kosovares Nurije Shala.
Në kategorinë e veteranëve, vendin e parë e zuri francezi Eric Servotte, kurse në konkurrencën e femrave moldavja Svetllana Shepeleva.
Në kategorinë 5 km, vendi i parë i takoi Suad Kryeziut, kurse te femrat, e para në cak mbërriti Gresa Bakrraqi. Në kategorinë e personave me aftësi të kufizuara, më të mirët ishin Florim Zymeri e Muhabije Topalli.
Në ndarjen e shpërblimeve për më të suksesshmit, prezent ishte edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ministri i Sportit, Memli Krasniqi. Sipas organizatorëve, në këtë gjysmëmaratonë kanë marrë pjesë rreth 400 garues.