BE, 95 milionë euro për Shqipërinë gjatë vitit 2013
Fonde në kuadrin e programit IPA
Bashkimi Europian është partneri dhe mbështetësi kryesor i Shqipërisë me fonde dhe asistencë teknike. Sipas burimeve zyrtare, vetëm për vitin 2013, shuma e akorduar nga Unioni për Shqipërinë prek vlerën e 95 milionë eurove. Shqipëria përfiton fonde në kuadrin e programit IPA, në dy komponentët që lidhen me asistencën tranzitore dhe ndërtimin e institucioneve të vendeve që aspirojnë të anëtarësohen, si edhe në bashkëpunimin ndërkufitar. Asistenca e Bashkimit Evropian është fokusuar në disa drejtime thelbësore që do të ndihmojnë Shqipërinë të përafrohet me standardet e kërkuara komunitare. Në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme, Bashkimi Evropian ka kontribuar për forcimin e aftësive të institucioneve për të luftuar krimin e organizuar dhe për të ruajtur kufijtë, si edhe për ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe efikas. Nderkohë që BE ka mbështetur reformën në administratën publike, ku është promovuar ngritja e një administrate profesionale, me rekrutim të mbështetur te transparenca dhe meritokracia. Në drejtim të infrastrukturës, gjate këtij viti Bashkimi Evropian ka kontribuar kryesisht në përmirësimin e rrugëve rurale, për të garantuar lidhje më të mirë me akset rajonale dhe kombëtare. Në sektorin bujqësor është nxitur rritja e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas dhe forcimi i kapaciteteve të strukturave që merren me zbatimin e politikave bujqësore. Ndersa në mbrojtjen e mjedisit, BE i ka dhënë prioritet përmirësimit të kushteve në zonat bregdetare të vendit. Përfaqësuesit e Bashkimit Europian në vendin tonë kanë dhënë shpresë për marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti, çka do të rriste ndjeshme dhe vlerën e financimeve për Shqipërinë. Ditw mw parw Shqipëria arrin të bëhet vendi i parë në rajon që kualifikon administratën e vet për të marrë përsipër prokurimet e fondeve të BE në përputhje me standardet e KE. “Deri këtë vit, KE ka prokuruar fondet e tij dhe ai ka qenë me njësite e veta prokuruesi i fondeve të Be. Pas një punë serioze tre vjeçare të bërë nga qeveria, Shqipëria arrin të bëhet vendi i parë në rajon që të kualifikojë administratën e vet për të marrë përsipër prokurimet e fondeve të BE në përputhje me standardet e KE. Për këtë qëllim janë ngritur njësitë përkatëse, më e madhja është në ministrinë e Financave, por krahas kësaj funksionojnë njësitë në të gjitha ministritë e linjës, njësi të kualifikuara këto dhe më së fundi të audituara dhe të certifikuara nga vetë ekspertët e fushës së KE. Në këtë kontekst, Shqipëria bëhet vendi i parë në rajon nga vendet që janë me status që krijon institucionet e veta të përdorimit të ndihmës së BE. Kjo përbën një arritje të madhe për administratën shqiptare dhe kjo arritje është rezultat i një pune shumë serioze të bërë nga ministria e integrimit, ministria e financave dhe ministritë e linjave për të ngritur dhe konsoliduar këto struktura të specializuara në këtë fushë. Një dokument prej mbi 6 mijë faqesh i është paraqitur KE, si dokument bazë për akreditimin e këtyre strukturave dhe certifikimit të tyre nga BE, ndihma këto të cilat prej tre vitesh i bllokojnë në qindra e qindra milionë dollarë qytetarëve shqiptarë me bllokimin e statusit nga zoti Rama, duke u bërë direkt një faktor i thellimit, i rëndimit të problemeve ekonomike të qytetarëve shqiptarë. Por më në fund, në maj ligjet u votuan, statusi besojmë dhe urojmë që të merret në dhjetor dhe thirrja jonë është që Shqipëria e meriton plotësisht statusin, ti jepet, në mënyrë që Shqipëria të përfitojë qindra, milion euro të tjera në të gjitha fushat, fonde që Shqipëria i ka shumë të nevojshme, që të përmirësojë ende infrastrukturën e saj për të vazhduar procesin e zhvillimit të saj, për të arritur në një vend të zhvilluar”, deklaroi kryeministri Berisha.