E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëzhgimi/Fitorja e vonuar e diktaturave?

01-07-2012 / Gazeta 55

Në Gjermani sapo janë botuar të dhënat e një sondazhi të bërë në rajonin e Bavarisë, Baden-Wurttenbergm Renin e veriut-Vestfalinë, Saksoninë-Anhalt dhe Turingia. Kampioni i intervistuar ishin 7400 studentë të shkollave të mesme dhe anketa është drejtuar prej Klaus Schroeder, profesor i Shkencave politike të Freie Universitat të Berlinit. Anketa ka pasur si subjekt koncepte për të drejtat e njeriut, demokracinë, lirinë politike, lirinë e fjalës, diktaturën ... Rezultatet janë disi të sikletshme: diktatura dhe demokracia janë e njëjta gjë, shumë prej tyre nuk e njohin formën e qeverisë së Gjermanisë së sotme, dhe Adolf Hitler ka qenë një mbrojtës i të drejtave të njeriut.  Kështu janë përgjigjur katër prej dhjetë të rinjve të pyetur. “Është e pabesueshme”, komentoi autori i studimit, Klaus Schroeder. Nga ky studim del se dy të tretat e 7.500 nxënës të shkollave të mesme nuk është në gjendje të thotë se Republika demokratike gjermane, e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe e rënës pas murit të Berlinit, ishte një Shtet totalitar. Vetëm gjysma ishte në gjendje të shprehte që ish-Gjermania perëndimorë ishte një Shtet demokratik, ndërsa 40 % prej tyre janë të paqartë për tipin e qeverisjes së sotme. Studimi thekson ndër të tjera se 40 % nuk dallon dot nazizmin, Republikën demokratike gjermane dhe republikës federale para dhe pas bashkimit të Gjermanisë.
Sido që të jetë ky lajm na jep mundësinë për të folur për mungesën e këtyre studimeve në vendin tonë. Me siguri, mund të thuhet se të lindurit pas viteve ’90-të  kanë një njohje të cunguar për regjimin e fundit stalinist. 20 vjetarët e sotëm janë indiferentë ndaj ngjarjeve të pajetuara prej tyre dhe regjimin e mëparshëm komunist e shikojnë si një periudhë që i përket historisë jo të afërt, si dhe janë të pandërgjegjshëm për krimet e komunizmit. Madje janë të paktë ata që kanë njohuri të fijeve të paprera të regjimit e sigurimit të shtetit me pushtetin e politikës, drejtësisë dhe medias. Ndoshta, brezi i viteve ’90 është jashtë sferës së ndikimit të sistemit represiv stalinist dhe kjo është një gjë e mirë. Ndonëse edhe pse jashtë sferës së ndikimit të drejtpërdrejtë të regjimit të mëparshëm totalitar qëndron një rrezik keqkuptimi me të keqen. Ngaqë nuk kanë kujtesë të tyre, as familjare, dalin të pambrojtur e kërkojnë informacione në media e libra. Por informacioni i përditshëm për diktaturën na jepet më së shumti me pilula rozë duke prodhuar një tendencë rehabilitimi për regjimin komunist. Sipas së cilës “nuk ishte dhe aq keq”.  Pra, imazhi i krijuar te të rinjtë për komunizmin që përjetoi Shqipëria është ai i një tiranie paksa të ekzagjeruar që karakterizohej nga papërgjegjshmëria e udhëheqjes, varfëria , ndalimi për të dëgjuar rock and roll, tepria në trajtimin e armiqve të regjimit dhe njëfarë dogmatizmi i panevojshëm. Ky imazh i varfër nuk është i rastësishëm, por është pasojë e njëfarë banalizimi të komunizmit. Prandaj dhe pikëpyetja për të kaluarën  çfarë ishit, çfarë keni bërë, nuk është bërë kurrë. Heshtja e të rriturve ka bërë gjë indiferentizmi për të kaluarën të rritet jashtë çdo lloj logjike. Mjerisht, 20 vjeçarët e sotëm  e përfytyron komunizmin kryesisht mbi bazën e disa simptomave të regjimit, por jo mbi bazën e thelbit të tij. Në përfundim mund të thuhet një profeci që ka lidhje me ditën që do të bëhet një prej këtyre anketave për regjimin e kaluar, për sistemin demokratik të sotëm, për të drejtat e njeriut, për lirinë politike dhe të fjalës në Shqipëri. Ndoshta, për fatin tonë të keq do të lexojmë të dhëna që  Enver e Nexhmije Hoxha, Sigurimi, kolektivizimi dhe lufta e klasave “nuk ishte dhe aq keq”. Madje mbrojtës të të drejtave të njeriut siç ndodhi me Hitlerin në Gjermani.
Lavdrim Lita

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›