“Tri kumte të jurisprudencës dhe të drejtat e njeriut!”
Njeriu e do të drejtën dhe të vërtetën, porse kjo ndodh kur ai shkon në gjykatë. Jashtë saj dhe në mungesë të marrëdhënieve me të, a është po ai individ, i cili nuk jeton dot pa marrëveshjen me të vërtetën?! Kjo çështje nuk është thjesht antropologjike. Në thelb të saj është besueshmëria ndaj drejtësisë, ndaj gjyqtarëve, ndaj institucioneve. Nëse prishet kjo marrëveshje, atëherë palët nuk bashkëpunojnë me mirëkuptim. “Të gjitha institucionet që e vënë njeriun në kontradiktë me vetveten nuk vlejnë gjë”, - shkruante Zhan Zhak Rusoi.
“Më nevojitesh por nuk të besoj” - kjo është kontradikta që qaset shpesh në realitetin shqiptar. “Më duhet gjykata por nuk po gjej drejtësinë” - do të ishte derivati. Sistemi i drejtësisë jashtë respektit dhe besueshmërisë nga publiku, punon si një mekanizëm pa ndjeshmëri dhe kryen mekanikisht një veprim operacional që paguhet nga taksat dhe ushqehet nga pagesa të tjera, të cilat e kanë ndotur atë. Argumenti mund të gjendet shumë thjesht. Mjafton të llogarisësh pasuritë e tundshme e të patundshme të tyre dhe përgjigjja nuk lyp as arsyetim shtesë e nuk pranon as edhe alibi. Njerëzit që punojnë në sistemin e drejtësisë janë jo thjesht të pasur, porse janë shumë shumë të pasur! Kumti i parë që duhet vënë në provë është besueshmëria tek gjyqësori. Juristi Gent Ibrahimi mëton se çdo qytetar me kulturë apo jo juridike, me koherencë apo jo në gjykimet dhe sjelljet e tij, do duhet të pranojë aksiomatikisht se “Legjitimiteti i gjyqësorit është konstitucional. Në këtë kuptim, ndonëse statik (për aq sa është statike vetë Kushtetuta dhe konstitucionalizmi që ajo prodhon), është më i lartë se legjitimiteti i pushtetit politik”. Po a e ka këtë kuptim e vlerësim publiku ndaj pushtetit gjyqësor? Po ekzekutivi, ai qendrori dhe ai lokali, a rreken që në çdo veprim të tyrin të arsyetojnë bazuar në këtë parim? Nëse po, si?! Realiteti nuk flet në këtë kahje arsyetimi dhe sjelljeje. Të dyshosh në këtë çështje, apo më keq akoma ta anashkalosh me qëllim, do të thotë që qysh në të dhënën e parë ekuacioni pushtet gjyqësor-individ të jetë i minuar. Nëse politikat dhe sjelljet e pushtetit ekzekutiv të radhës, që duhet të shprehin interesat e qytetarëve (por që fatkeqësisht tek ne ende flasin për detyrime ndaj partisë politike apo shumicës parlamentare si aritmetikë koalicioni), nëpërkëmbin legjitimitetin e gjyqësorit si kushtetutshmëri.
Në këto rrethana qytetari i thjeshtë as që e merr mundimin të interesohet sa legjitim është ky pushtet! Në botën e interesave ai fatkeqësisht e sheh atë thjesht si një operator tregu dhe parimet e komunikimit me të i gjykon e i përdor po mbi këtë filozofi. Pasojat janë shumë të rënda. Zoti Ibrahim me shumë të drejtë konkludon se: “Mungesa e besimit tek gjyqësori vë në pikëpyetje logjikën kushtetuese të ndërtimit të këtij sistemi. Po, po! Sepse së bashku me pavarësinë, besueshmëria e gjyqësorit është çështje me natyrë konstitucionale dhe politike për gjyqësorin.” Mungesën e besimit do të duhet ta shohim në mënyrë të dyanshme, së paku si përjetim dhe krizë të identitetit moral. Qytetarët e kanë humbur besimin dhe kjo konfirmohet nga më shumë se një subjekt. Vlerësimi zhgënjyes që dha para pak kohësh “Departamenti Amerikan i Shtetit”, ishte i freskëti në radhën e konsiderimeve negative për gjyqësorin shqiptar. Sipas arsyetimit të juristit Ibrahimi, “gjyqtarët e Shqipërisë janë gjyqtarët më të keqpaguar në kontinent. A nuk është kjo gjendje rezultat i frymës populiste, në mos të ushqyer nga politikanët, të paktën të pranuar në heshtje prej tyre, dhe i mendimit në publik se gjyqtarët ia dalin vetë dhe nuk është e nevojshme që shoqëria të bëjë një sakrificë duke kontribuar një pjesë më të madhe të burimeve të saj për të paguar gjyqtarët?”.
Këtë situatë, autori i deduksionit, e konsideron “semplizëm kriminal” e dritëshkurtësi. Kësaj i thonë që ta paragjykojmë me dëshirë dhe ta shtyjmë me vetëdije, që gjyqtari të fitojë jo ligjërisht. Madje t’ia ushqejmë mitmarrjen sepse qytetarët janë ata që paguajnë nën dorë, dhe në të njëjtën kohë të kërkojmë ndershmëri dhe korrektesë prej tyre. Një sjellje e tillë nuk bën sens. Nëse nuk besohet tek gjyqtari dhe tek gjykatat, atëherë patologjia e rrezikshme që “afekton, -nënvizon Zoti Ibrahimi, - çdo anëtar të shoqërisë në formën e mungesës së sigurisë juridike, shpie drejt vetëgjyqësisë me të gjitha pasojat rrënuese të këtij fenomeni.”
Ne jemi dëshmitarë të akteve të shpagimit e vetëgjyqësisë deri në marrje jete. Sa herë që ndodhin ngjarje të rënda, përmes mediave dëgjojmë e shohim se si shprehen familjarët para dhe pas vendimeve gjyqësore. “Nëse shteti nuk merr masa ekstreme, - thonë ata, - ne do ta zgjidhim vetë”. E kur dënimet janë qesharake ose alibi e pastër me gjuhën hermetike të proceduarve, atëherë dora vrastare nuk ndalet, si edhe ndodhi së fundmi ndaj Maries 17-vjeçare. Nëse gjykata pas rreth katër vitesh, çështjen e tragjedisë së Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën disa dhjetëra, e mbyll në Shkallën e Parë, me vendim për prishje prone, atëherë larg qoftë, porse vetëgjyqësia mund të vijë si një shpagim i verbër në kushtet kur besimi mbi gjykatat e drejtësinë ka humbur. Sipas argumentit të juristit Gent Ibrahimi, në betejën për të fituar besimin e publikut, së paku janë katër instrumente: Transparenca e veprimtarisë gjyqësore, etika në gjyqësor, aksesi në drejtësi, dhe profesionalizmi i klasës së gjyqtarëve. Tejdukshmëria nuk duhet të shfrytëzohet vetëm për rastet negative apo të depatueshme. Publiku ka nevojë të dëgjojë më shumë aspektet pozitive sepse, si edhe mëtonte Hegeli, “E keqja prish punë jo se thjesht është e keqe, por se si e tillë kërkon t’i zërë vendin të mirës”. Nëse do të njollosnim kolektivisht të gjithë gjyqtarët, prokurorët, avokatët e noterët, atëherë dëmi më i madh do t’i bëhej qytetarëve. Kështu do ta pësonte demokracia, liritë e të drejtat e njeriut, do të minohej “Shteti Ligjor”.
Shoqëria jonë e bazuar tek “pluralizmi demokratik me shtet ligjor, që funksionon me pushtet politik, që mbështetet tek Kushtetuta dhe tek sovraniteti popullor i organizuar në bazë të principit të shumicës demokratike”, pa sistemin gjyqësor dhe besueshmërinë e qytetarëve tek ai, do të mos mundte të vepronte si një demokraci funksionale. Porse, kur pushteti nuk garanton besueshmëri dhe në sjelljen profesionale dhe qëndrimet që mbanë shpërfaqet i korruptuar, strukturat dhe institucionet e lartpërmendura të sistemit të demokracisë liberale, janë të pambështetura. Qytetari mbetet i pambrojtur nga çdo abuzim, që nga largimi i pamotivuar nga puna deri tek moskthimi i pronave, nga mungesa e shërbimeve publike, deri tek abuzimet që vijnë nga arroganca e pushteteve dhe institucioneve. Ndarja e qartë e kufirit mes opinionit dhe fakteve, mbetet pezull si një peshë e rëndë mbarë shoqërore. Qoftë opinionet e rreme, qoftë ato negative in extremis, dëmtojnë. Sigurisht opinioni nuk mund të neglizhohet. Veçse të paragjykuar në kolektiv të gjithë gjyqtarët apo prokurorët, atëherë sjellja shoqërore e publikut ndaj tyre si qytetar në nevojë për shërbimin juridik, do të ishte fatalisht vetëm ryshfeti. “Ndreqni opinionet e njerëzve dhe atëherë zakonet e tyre do të spastrohen vetvetiu”, - mëtonin iluministët Montesqiue, Pascal etj!
“Drejtësi në kohë të arsyeshme”, është ky deduksioni i gjyqtarit dhe konstitucionalistit tonë të njohur Kristaq Traja, i pari gjyqtar i Shqipërisë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Kalvari i qytetarëve në dyert e gjykatave, zvarritjet e gjata në vite, mekanizmat okulte të manipulimit me procedurat, inkompetenca e shprehur në shumë raste dhe veprimet korruptive që, nga sjelljet e avokatëve dhe deri tek transaksionet e tyre në emër të interesit monetar e jo të drejtësisë, kanë bërë që një pjesë të kohës nga jeta e tyre njerëzit ta kalojnë zyrave të gjykatave. Madje edhe koha jashtë atyre ambienteve, është shndërruar në një makth dhe stres që nuk të lë të gjesh motive e frymëzim për punë të tjera të dobishme. “Interesat e njerëzve, - parashtron në argumentin e tij juristi dhe pedagogu Traja, - janë aktuale, të sotme, të tanishme, konkrete dhe kalimtare”. Me fjalë të tjera, do të thoja, njeriu i zgjidh problemet gjyqësore me qëllim që ta jetojë jetën duke e bërë atë më të mirë, më të begatë, dhe nuk e (keq)përdor jetën për të gjetur zgjidhjen e problemeve që sajë të institucioneve që japin drejtësi, zgjasin fatalisht sa jeta e tyre.
Madje ka shumë raste, që njeriu ikën nga kjo botë me pengun se çështja ka mbetur ende pa zgjidhur në gjykatë, si një trashëgimi e hidhur për brezat më të rinj. Nëse një qytetar, prindërit e të cilit duruan gati gjysmë shekulli nën diktaturë, ka tashmë 22 vjet që nuk merr dot pronat, atëherë për cilën drejtësi bëhet fjalë në Shqipëri???
Profesor Traja është konkret dhe i prerë në zgjidhjen që ofron sepse si një autoritet me sqimë dhe me “long experience” si gjyqtar, ai sjell si zgjidhje modelin e Gjykatës së Strasburgut. “Teknikisht, Strasburgu, - nënvizon Zoti Traja, - ka përpunuar tri kritere me të cilat kontrollon kohëzgjatjen e një procesi gjyqësor që zhvillohet në juridiksionet vendase: a)sjellja e autoriteteve kompetente për trajtimin e çështjes; b)sjellja e vetkërkuesit dhe c) kompleksiteti i çështjes në gjykim. Ka edhe nënkritere, p.sh. ato që lidhen me marrëdhëniet e punës ku vepron një parim precedence apo përshpejtimi, si edhe kriteri që vështron rëndësinë e interesit që vihet në balancën e drejtësisë. Këto janë kritere formalo-juridike; janë të domosdoshme, derisa drejtësia me ligj në thelb është abstraksion nga rasti, nga rrethanat specifike për të mundësuar realizimin e parimit të barazisë, i cili s’është gjë tjetër veçse barazi para ligjit, pra barazi formale.”. Realiteti flet ndryshe tek ne dhe “gurët nuk po lëvizin” që çështjet gjyqësore të mbarojnë në kohën e arsyeshme. Është e turpshme, që në çështjen penale ndaj të akuzuarit që ka vrarë 4 punonjës policie, avokatët janë kudo, por nuk janë në sallën e gjyqit. Dikush prej tyre ankohet që përgjegjësia është e gjykatës sepse zvarrit dhe shtyn pa motiv seancat gjyqësore.
Ndërsa në Gjykatën e Lartë, u manovrua me shkelje procedurash për kohën e hetimit dhe u mbyll çështja në ngarkim të një shtetari akuzuar për korrupsion. Ky lloj manipulimi me kohën, që herë zgjatet pa fund deri në absurd, dhe herë matet me sekonda si kohë e procedurës, vetëm e vetëm që dikush të mos dali në bankën e të akuzuarit, flet për një sistem që lë hapësira manovrimi por jo në funksion të drejtësisë. Në veprën e tij madhore, “Problemet Shqiptare”, Mehdi Frashëri nënvizon se Shqipërisë në çështjen e procedurave gjyqësore, i nevojitet një model anglosakson ose skandinav, tek të cilat ka mekanizma të efektshme që shkurtojnë procedurat; dhe jo modeli latin (adresuar prej tij ai italian) që në pyllin e procedurave e humbet çështjen dhe shtyn pa fund zgjidhjen e saj.
Profesor Traja është asgjësues në logjikën e tij të mprehtë, kur arsyeton në ujërat e filozofisë kohë ligjore- kohë jetësore, interesa të sotme dhe interesa që nuk të interesojnë më. Duket si një relativitet Ajnshtajnian, deduksioni i tij se marrëdhëniet institucion-interes njerëzor e qytetar, përmes vendimit në kohën e arsyeshme, mund, sipas rastit, ta përshpejtojë ose ta ngadalësojë ritmin e jetës së individit dhe të shoqërisë, ose ta uli ndjeshëm atë, duke penguar zhvillimin e përgjithshëm. E citoj në ligjëratë të drejtë deduksionin e tij: “Koha është ajo gjëja që nuk ndalet e, meqë nuk kemi pushtet që ta ndalojmë, përpiqemi ta shfrytëzojmë, ta administrojmë. Ligji ekziston në kohë, ai vepron e shfuqizohet; por edhe koha ekziston në ligj dhe koha në ligj është problemi më delikat. Me gjuhë të thatë juridike, koha në ligj quhet afat. Afati është një segment kohe ku për njerëzit luhet një lojë e madhe interesash jetike. Nëse vonohet procedura e zgjidhjes së mosmarrëveshjes, interesi zbehet, dobësohet, tretet, derisa zhduket. Drejtësia e vonuar, thonë, është drejtësi e mohuar. Koha, duke zhdukur interesin, zhduk objektin e gjykimit.
Jo vetëm gjyqi dhe gjykata e ka kohën në dorë, por më shumë koha ka në dorë gjyqin dhe gjykatën. Përse bie autoriteti i gjykatës? Përveç shumë faktorëve të tjerë, ajo që e rrënon në mënyrë të pamëshirshme drejtësinë, është kafshimi i kohës. Përse ligji cakton afate parashikimi? Sepse asnjë ligj, si çdo gjë tjetër në këtë botë, - e mbyll arsyetimin Profesor Kristaq Traja, - nuk mund t’i qëndrojë kohës.”. Në këtë ulli arsyetimi, le të hedhim dritë mbi një realitet të mprehtë juridiko-social. Sot mund të thuash se me ligjin e ri për pronësinë për tokat bujqësore, diçka po rregullohet. Ai që nuk jeton më në fshat dhe nuk kryen aktivitet bujqësor, do ta humbasë mundësinë e hipotekimit. Por nëse mbi atë tokë në një zonë bregdetare, janë ndërtuar godina që përdoren për turizëm, atëherë ajo sipërfaqe është shndërruar në truall dhe njëkohësisht, pronarit legjitim që nuk e përfitoi dot kthimin e saj me ligjin 7501, edhe sikur t’i lindi e drejta ligjore që ta marri atë sipërfaqe të trashëguar, e gjen atë aktualisht në një situatë të vështirë konfliktuale. Ose duhen shembur ato godina që janë ndërtuar, - çka nuk mund të ndodhi masivisht sepse ka kosto dhe interesa në mes, - ose duhet të rropatet në vite për zgjidhjen e pronësisë bazuar në vlerën e tokës dhe atë të investimit, për të përcaktuar se si janë raportet pronësore mbi bazën e vlerës reale në treg në momentin e dhënë. Ky është rasti më flagrant që ligji është zhvleftësuar në kohë. Realiteti ekonomiko-socialo-juridik, fliste për dalje jashtë funksioni të ligjit 7501 dhe në të njëjtën kohë heshtej, mbylleshin sytë deri në krijimin e realitetit të faktit të kryer. Ndërkohë, me mijëra pronarë të ligjshëm nuk e kanë ende mundësinë ligjore për kthimin e pronave të tyre të trashëguara dhe të mbështetura nga dokumente arkivale, kadastrale dhe hipotekore, që e provojnë këtë pronësi.
Juristi i shquar Kristaq Traja e nënvizon në skemë zgjidhjen e tij, se shkaku është mungesa e “Ligjit për disiplinimin e kohës gjyqësore…Nuk ka ligj sepse nuk ka akt të Kuvendit. Arsye ka disa, por kryesorja, - e thellon arsyetimin Zoti Traja, - është teoria ose më mirë filozofia gjyqësore mbi të cilën mbështet juridiksioni…Nëse kjo mund të ketë justifikim për gjyqësorin e zakonshëm, që në fakt nuk e ka, për Gjykatën Kushtetuese nuk ka asnjë”, - e mbyll përsiatjen e tij juristi i shquar Traja. Ai jep edhe zgjidhjen.
Parlamenti duhet të aprovojë një ligj, si e kanë të gjitha vendet që aderojnë në sistemin e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. “Një ligj specifik, - shprehet në mënyrë eksplicite zoti Traja, - që të administrojë procedurën gjyqësore kundrejt së drejtës individuale për një proces brenda një kohe të arsyeshme, madje,…ky ligj është jurisprudenca europiane ku ne duhet të mbështetemi”.
Kumti i tretë që lidhet me sistemin gjyqësor, është teza mjaft e guximshme e gjyqtarit tonë aktual në Gjykatën e Strasburgut, juristit Ledi Bianku. Ai e sjell këtë çështje të bazuar nga filozofitë e jurisprudencës dhe praktikat e Strasburgut, ndaj e paraprin argumentin e tij me një deklaratë të Presidentit të Parë të Gjykatës së Kasacionit në Francë, zotit Guy Canivet, në janarin e 2006-ës, në hapjen e vitit gjyqësor. E citoj: “Të japësh llogari mbi drejtësinë…, mund të bëhet në disa mënyra, ligjore, institucionale, hierarkike, disiplinore, civile, penale, por të gjitha shtrojnë pyetjen, tepër të diskutueshme, të përgjegjësisë së gjyqtarëve në raport me pavarësinë e tyre… - objekt i një reflektimi delikat. Çdo vendim gjyqësor e ekspozon autorin e tij ndaj kritikës publike…Në Republikë, sovraniteti është i popullit, në emër të të cilit drejtësia jepet; atij duhet t’i japin llogari gjyqtarët.”. Është e kuptueshme që kontrolli mbi gjyqësorin nuk mund dhe nuk lejohet të preki pavarësinë dhe integritetin e sistemit si një pushtet kushtetutshmërisht i pavarur. Por se pavarësia e gjyqësorit nuk mund dhe nuk duhet të shkojë nga diskrecioni në separatizëm, nga mosndërhyrja në pavarësinë e tij në hermetizëm dhe mostransparencë, apo moslejim kontrolli. Tek e fundit, gjykata jep drejtësi për kë?! Për njeriun, qytetarin, apo jo? Këtë e bën në emër të ligjit që rrjedh nga legjislacioni që aprovon Parlamenti, i cili shpreh sovranitetin e popullit. Gjyqtari nuk është thjesht administrator i ftohtë, jashtë realitetit njerëzor. Nëse me vendimin e tij gjyqtari rëndon padrejtësisht këdo qoftë, kjo është përgjegjësi që kontrollohet. Qytetari mund t’ia fali paaftësinë, por jo vendimin e prishur nga korrupsioni. Kur fliste për gjyqtarët e korruptuar, John Lock shprehej prerazi se “Krimi i tyre është më i madh, sepse njëherësh edhe kanë qenë mosmirënjohës për hisen më të madhe që kanë sipas ligjit dhe kanë shkelur besimin që u kanë dhënë vëllezërit e tyre.”.
Situata tek ne në Shqipëri duket e rënduar. Në raportimin e fundit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, Prokuroria e Përgjithshme, znj. Ina Rama, me vendosmëri u shpreh se gjyqtarët e niveleve të ndryshme në shumë raste, po veprojnë si korporata. Sistemi korporativ kur ligji përdoret për të dhënë vendime jo të drejta, është patologjia më e rrezikshme e sistemit gjyqësor. Por kur këtë e thotë Prokurorja e Përgjithshme, nuk ka vend as për anashkalim, e as për heshtje. Në fokusin e argumentit, se kush i “gjykon gjyqtarët,” Profesor Bianku shprehet si më poshtë: (E citoj) “Së pari, - thotë ai, - ndarja në kontroll brenda sistemit (pra kur një gjykatë më e lartë kontrollon vendimet e një gjykate më të ulët) dhe kontrolli jashtë sistemit (ku organe të caktuara si “Këshilli i Lartë i Drejtësisë” në Shqipëri për shembull) ushtrojnë kontroll në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit.” Gjykoj se nëse ky kontroll hierarkik, është jashtë fushës së interesave private, ekonomike apo nepotike, dhe i shërben drejtësisë të bazuar vetëm në ligj, atëherë ky mekanizëm e shëndosh gjendjen pozitivisht. Kështu zinxhiri institucional i niveleve në gjyqësor është dialogues e komplementar. E kundërta ndodh kur skenarët janë të paracaktuar, dhe “çernieri lidhëz” i përfitimit nën dorë, bëhet avokati/avokatët. Gjykoj modestisht, që në rastet kur vendimet e gjykatave në nivel të ulët thyhen nga gjykatat më të larta dhe fenomeni është i përsëritur e i pamotivuar, në këto rrethana, është me interes për qytetarin dhe vetë gjyqësorin që ndëshkimi të jetë i tillë deri në ulje në detyrë.
Mjeku që, për paaftësi apo neglizhencë, korrupsion apo mos veprim, e dëmton një njeri -pacientin e tij, apo shkakton vdekjen e tij, ai dënohet edhe penalisht. Nëse me vendim gjyqësor qytetari kryen një dënim të pamerituar deri në 42 muaj, si edhe ishte rasti i fundit i një personi që jetonte në Londër dhe ishte akuzuar pa të drejtë, për një vepër penale që nuk e kishte kryer; kush e mban përgjegjësinë dhe çfarë detyrimi ka?!
Pas jetës dhe pronës, liria është cilësuar nga John Lock-u, si e drejtë themelore e njeriut. Gjyqtari dhe gjykatat ia marrin dhe ia burgosin pa të drejtë. Imagjinoni virtualisht, që ky gjyqtar për të shlyer këtë gabim trashanik të detyrohej që paratë për dëmshpërblim ndaj të dënuarit pa faj t’i paguajë ai, duke iu mbajtur kjo shumë nga rroga, ose ai ta shlyejë duke bërë po aq ditë heqje lirie! Më falni, ky penaliteti i dytë le të merret si hipotetik sepse nuk ka sens juridik, por nëse vetëm ta mendojë gjyqtari, si person, si prind, si qytetar, si do të reagonte?! Kaq kollaj vrasësi del nga burgu, zoti gjyqtar?! Kaq e lehtë është që me vendim gjykate t’ia japësh pronën e pamerituar dikujt që nuk i takon, sepse ai të paguan nën dorë?! Kaq lehtësisht mund të bëjë burgim të pamerituar një njeri, e të gjitha këto në vitin 2012, në një vend anëtar të NATO-s dhe aspirant shumë pranë për anëtarësim në BE?! Gjyqtari nuk duhet ta konsiderojë veten si një mekanizëm amorf, por si një “qytetar i parë i drejtësisë dhe ligjit.”. Kemi pasur raste kur gjyqtarë si zonja e nderuar Natasha Sheshi, është dorëhequr nga detyra, vetëm për të mos shkelur parimet e drejtësisë. Rasti i fundit ishte ai i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese që u dorëhoq për të qenë korrekt me Kushtetutën. Të japësh llogari përpara popullit do të thotë që gjyqtari, në rrugë institucionale, të përgjigjet përpara organeve që përfaqësojnë sovranitetin e popullit. Por edhe organet që emërojnë në detyrë gjyqtarë nuk duhet ta bëjnë këtë akt “symbyllazi”. Të dëmtohet, fjala vjen, një fushë me të mbjella, thjesht se agronomi gaboi, është diçka që edhe rregullohet. Të prishësh sistemin e drejtësisë me emërime të pamerituara, rrënjë e së keqes kjo që, vjen që nga shkollimi i tyre, është tepër e rëndë.
Në një seminar juristësh dhe profesorësh të universitetit “Luarasi”, zonja Mariana Semini, drejtoreshë e Shkollës së Magjistraturës, argumentoi se, provimi provues për kandidatët, tregon se mesatarja reale e tyre është goxha më e ulët se sa notat e marra në Universitetin Publik, nga ku edhe vijnë më shumë kandidatët që aplikojnë për ta kryer këtë shkollë. Bie kultura e përgjithshme, zbrazet baseni i dijes! Rritet informaliteti i notës universitare, rritet kontrasti mes asaj që dimë dhe asaj që mendojmë dhe pretendojmë se dimë. Në një farë kuptimi, gjykatat tona në lidhje me vendimet që japin për të drejtat e njeriut janë nën kontroll. Ato gjykohen, sepse çështjet përfundojnë për shqyrtim në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Bilanci tregon që qytetarët e kanë fituar gjyqin me shtetin. Vendimet e gjykatave tona janë hedhur poshtë. Por ndodh që, edhe kur kjo Gjykatë Europiane shprehet dhe merr vendime, tek ne nuk reflektohet. Ja si shprehet zoti Ledi Bianku për këtë realitet. “Në korrik të vitit 2008, Gjykata e Strasburgut me vendimin “Xheraj kundër Shqipërisë”, vendosi shkelje të nenit 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut nga ana e Republikës së Shqipërisë. Në përpjekje për implementim e këtij vendimi në nivel të brendshëm, ka pasur deri tani dy vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe dy vendime të Gjykatës së Lartë….Fakti është që për asnjërin prej këtyre vendimeve të rëndësishme për rendin ligjor dhe gjyqësor shqiptar, gjykatat nuk kanë përfituar nga ndonjë reagim, pozitiv apo negativ qoftë, nga ana e doktrinës shqiptare. Secila gjykatë justifikohet të mendojë se është ajo që e ka pasur drejt. Rezultati është që, një vendim i Gjykatës së Strasburgut që kërkonte thjesht një përgjigje ligjore ose gjyqësore në nivel të brendshëm, nuk e ka marrë ende sot, pas afro 4 vjetësh”, - e mbyll arsyetimin profesor Ledi Bianku. Në gjykimin tim, (autori i shkrimit P.K) kjo sjellje në planin etik është arrogancë. Në aspektin profesional, inkompetencë. Në lëmin doktrinar është qëndrim dogmatik. Si detyrim institucional, përgjigjja e vonuar është moskokëçarje tipike provinciale, ku parapëlqehet mbyllja, izolimi dhe mospërballja! Të besosh tek drejtësia, të marrësh vendime të drejta dhe në afat, si dhe të gjykosh për punën e gjyqtarëve, do të thotë që liritë dhe të drejtat e njeriut të respektohen e vlerësohen, sa herë që qytetari paraqitet në gjykatë. Pa këtë marrëdhënie besimi dhe respekti, demokracia ndalet. Shoqëria ngarkohet me nevojën për ndryshime të thella dhe të shpejta. Edukata mbi të drejtën mund të merret në mënyrë akademike apo shkollore, porse tek njeriu ajo është e lindur. Për të ai përpiqet e lufton në jetë! Kush nuk e ka kuptuar ose bën sikur nuk e di, është përfundimisht i humbur. Njeriu dhe e drejta, është binomi simbiozik!
(GazetaShqiptare/BalkanWeb)