E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, Ylli Manjani: “E paplotë pa korrektimin e sistemit”

01-07-2012 / Gazeta 55

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani vlerëson ndryshimet në qeveri dhe thekson se forca politike që ai përfaqëson do respektojë marrëveshjen e koalicionit me Partinë Demokratike

“Kur jemi në limite kohore për përmbylljen e reformës zgjedhore dhe thirrjet brenda dhe jashtë sa vinë e rriten për përmbylljen e saj brenda afatit të përcaktuar”.
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani, shprehet optimist për një konsensus mes palëve për finalizimin e shpejtë të saj.
Por për Manjanin, shqetësuese vazhdon të mbetet çështja e korrektimit të sistemit, çfarë e bën sipas të tij, të paplotë në thelb reformën zgjedhore. “Nuk besoj që jemi shumë larg konsensusit, ka shumë gjasë që të gjendet një formulë e cila do të plotësonte brenda afateve, nuk e dimë me cilësi apo jo, mbetet për tu parë. Them që duket se jemi në kohë, çështjet pa debat nuk kalohen. Nuk duhet të harrojmë që edhe sikur kjo reformë të përmbyllet 100 për qind në bazë të rekomandimeve të sugjeruara, ajo në thelb mbetet e paplotë në lidhje me barazinë e votës. Mund të mos jepej zgjidhje, por që duhej çelur ky debat edhe në Parlament, kjo mbetet për tu kritikuar. Zgjidhja e reformës është kusht i domosdoshëm dhe shpejton edhe integrimin e vendit”, u shpreh ai.
Në këtë kontekst pavarësisht dukjes në plan të parë të një mbështetje nga PS-ja, për Manjanin as PD dhe as PS nuk kanë më të voglin interes për të ndryshuar sistemin. Po sipas tij, dy partitë e mëdha po fshihen mjeshtërisht pas deklaratave publike, duke anashkaluar interesin publik dhe atë të vetë demokracisë në vend.
“Është rrethi vicioz që luhet me emocionet e njerëzve, as PD as PS nuk janë të interesuara për të ndryshuar sistemin pavarësisht deklaratave Mandati i Komisionit për Reformën Zgjedhore është i kufizuar vetëm në rekomandimet e OSBE-ODHIR. Do të ishte më e sinqertë për dy partitë që të deklarojnë se nuk jemi të interesuar për të ndryshuar sistemin. Partitë i janë fshehur mjeshtërisht këtij interesi të opinionit publik dhe vetë demokracisë”, tha Manjani.
 Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani flet dhe për ndryshimet në Qeveri nga kjo forcë politike, duke i konsideruar tërësisht për arsye politike.
Teksa ka përsëritur dhe njëherë zotimin e LSI për t’i qëndruar deri në fund koalicionit mazhoritar, ai nuk përjashtoi faktin e qëndrimeve dhe mendimeve ndryshe për çështje të caktuara edhe brenda koalicionit. “Arsyet politike të LSI çuan në rrotacionin në qeveri, i jemi përgjigjur interesit të gjerë të opinionit publik. Se çfarë bën një parti tjetër brenda koalicionit nuk është në përgjegjësinë apo analizën tonë. LSI është pjesë e qeverise, do ti qëndrojë deri në fund marrëveshjes. Sa i përket çështjes së emrave, kjo nuk është me shumë me rëndësi, janë emra me kontribute. Fillimet gjithmonë janë me paragjykime. Ne kemi qenë kritikë me arritjet që ka Qeveria në reforma dhe vazhdojmë të jemi të shqetësuar për ritmin e gjërave. Pavarësisht çfarë mendojmë për njëri-tjetrin, në politikë nuk lejohet të mendosh personalisht, ka rregulla. Ka çështje që kanë pasur debat dhe mosmarrëveshje, pasi jo gjithçka shkon vaj”, u shpreh ai.
Duke u ndaluar në strukturimin dhe organizimin e LSI, Manjani e ka konsideruar një proces normal, të shoqëruar pse jo dhe me debat dhe alternativa, ndërsa nuk ka nguruar të deklarojë votën pro Ilir Metës për kryetar të LSI-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›