Vëzhgimi/Ministrat e ardhshëm pushojnë në resorte 3 mijë euro nata
Rriten të ardhurat nga doganat dhe tatimet, 16-21% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë - Qeveria e ardhshme do gëzojë një stabilitet të shkëlqyer makroekonomik, si rezultat i efiçencës së administratës aktuale. Kryeministri Berisha raportoi dje rritjen e të ardhurave nga doganat dhe tatimet. “Ata që flasin për gropë financiare, tha Berisha, sot po pushojnë në resorte luksoze 3 mijë euro nata”
Kryeministri Sali Berisha ka përgëzuar punën e mirë të bërë nga administrata doganore dhe tatimet. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Berisha sulmoi kryesocialistin Rama për ekonominë e vendit duke theksuar se ekonomia shqiptare është e qëndrueshme. Sipas tij, ata që sulmojnë përmes një stuhie antishtet dhe flasin për gropën e madhe financiare, sot vazhdojnë të pushojnë në resorte luksoze 3 mijë euro nata. Kryeministri theksoi se kjo qeveri po ia lë vendin qeverisë së ardhshme me një stabilitet të shkëlqyer makroekonomik. “Kam zgjedhur të përgëzoj administratën tatimore e doganore, e cila gjatë muajit korrik, në një kohë kur qeveritarët e ardhshëm i binin gjoksit në diell e ku vazhdojnë të jenë në resorte 3 mijë euro nata, për gropën e madhe financiare, unë njoftoj shqiptaret se administratat tatimore e doganore kanë funksionuar me integritet të larta, çka nuk është e thjeshtë, pasi stuhia antishtet e piktorit synonte të paralizonte tërësisht administratën. Hapja e tenderit, me në krye kushërirën, për fshesën në administratë ishte gjithashtu një sinjal shumë negativ që i dërgohej administratës. Por administrata është një pasuri shumë e madhe e vendit dhe ajo, në zbatim të ligjit, ia ka dalë që në tatime të realizojë në masën 106.7 përqind planin e vet, që e krahasuar me korrikun e vitit të shkuar, të mbledhë 7 përqind më shumë. Ndërsa doganat kanë mbledhur 16 përqind më shumë sesa në korrikun e vitit të shkuar. Në qoftë se doganat janë në 95 përqind të planit në tërësi, kjo sepse ka hyrë në fuqi ligji për heqjen e TVSH-së për të gjitha llojet e makinerive, për panelet diellore e për gjithçka që përdoret për prodhim në Shqipëri dhe megjithatë, krahasuar me vitin e kaluar, doganat janë në nivelin 16 përqind më shumë. Duhet të ishin më shumë, sipas planit që ka përcaktuar ministri Bode, i cili në plan e ka 21 përqind më shumë për këtë vit, por ne i hoqëm TVSH-në dhe të ardhura të tjera. Ajo që është për t’u lavdëruar është se ata nuk e kanë lëshuar punën, kanë punuar me përkushtim, me vendosmëri, në një presion dhe terror psikologjik të pamerituar. Ndaj unë dua t’i përgëzoj, pasi ky është një zhvillim shumë pozitiv”- u shpreh kryeministri. Ai theksoi gjithashtu se në gjendje të stabilizuar është edhe tregu financiar në vend, ku bonot po blihen me interesat më të ulëta, rekord. “Inflacioni i muajit të kaluar ishte 0.8 përqind më i ulët se muaji korrik i një viti më parë dhe kjo, jo se njerëzit kanë mbyllur gojën e nuk po hanë, siç shkruan shtypi i Partisë Socialiste, por se ka një prodhim të madh, të gjithanshëm, si rezultat i politikave të nxitjes së prodhimit. Ky tregues është dëshmi e stabilitetit të shkëlqyer makroekonomik. Po kështu, ka rritje të eksporteve të vendit me 27 përqind në muajin korrik. Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar kur ato ishin 10 miliardë lekë, korrikun e këtij viti ishin 13.7 miliardë, pra, një rritje prej 3.7 miliardë ose 27 përqind. Ndërsa rieksportet, pra prodhimi fason, ka qenë 8.6 miliardë lekë korrikun e viti 2012, është 11.5 miliardë korrikun e këtij viti, ose një rritje me 20 përqind. Edhe këto janë dëshmi e një ekonomie që po e përballon krizën, jo pa vështirësi, sepse ka tregues të tjerë si për shembull, kompanitë nuk marrin kredi”- tha ai. Gjithashtu, Berisha i ka bërë thirrje pasardhësit të tij në qeveri, Edi Ramës që të mos e shtrijë luftën politike në fushën e biznesit. “Dhe kjo s’ka si të ndodhë, kur piktori sulmon nga mëngjesi në darkë bizneset, sulmon procedurat, sulmon koncesionet, sulmon dhe vetëm sulmon. Në qoftë se një njeri, i cili pas dy javësh a kur i takon do të ulet në këtë karrige, sulmon nga mëngjesi në darkë koncesionet, aktet tregtare, transaksionet, natyrisht, biznesmenët thonë të mos hyjmë në borxhe, Zoti na ruajt, çdo të jetë ky njeri. Por është e njohur se asgjë nuk trembet më shumë se paraja. Tani ka nxjerrë shpatën e po merret me të vetët. E keni parë që bregu mavi që u festua para dy vjetësh po del tani bregu mavri. Dy vjet më parë festuan nga Velipoja në Ksamil, tani del që kjo ka qenë fatkeqësia e bregut. Por kjo është lule, nuk është asgjë se çdo të dalë shumë shpejt. Ndaj u bëj thirrje të jenë të kujdesshëm. Luftën politike ndaj kundërshtarit ta bëjë si të dojë, por të mos e shtrijë atë tek bizneset. Bizneset janë vende pune, janë të ardhura, pa të cilat makineria e shtetit paralizohet. Kjo është e dhimbshme, pasi trembet biznesi, i cili më pas nuk merr kredi. Bankat vetë nuk kanë interes të japin shumë kredi, por kur trembet biznesi, ky është e fundit. U dërgon mesazhe punonjësve të bankës dhe u thotë ku e keni makinën që prisni paratë për qeverinë. Kjo tregon për ekipin e tij dhe në ekip, ai ka edhe një ish guvernator, por që koha e tij ishte koha kur ka qenë zëvendëskryeministri i Partisë së Punës të Shqipërisë, kohë në të cilën paratë priteshin sipas urdhrit të partisë. Zotëri, makina që pret paratë për qeverinë është disiplina e administratës, mbledhja e të ardhurave në dogana e tatime dhe në shitje. Këto janë burimet dhe janë gjëja më transparente që ekziston. Sa kërkon poshtë e përpjetë makinën ku priten paratë, më mirë të mësojë burimet ligjore të krijimit të të ardhurave. Injoranca nuk është asnjëherë argument”- deklaroi më tej kryeministri Berisha.