Vëzhgimi/Rikthehet Cac Angjeli, kërkon të blejë Gjirokastrën me formulën e mamutit dhe të blerjes së votave
Gara elektorale në Qarkun Gjirokastrës, ka nxjerrë në pah panikun dhe frikën e Partisë Socialiste, nga vota e socialistëve atje. Debatet dhe përplasjet me Vangjel Tavon e LSI-së, e kanë detyruar Cac Angjelin e PS-së, të dalë dhe të blejë votat e socialistëve. Si njohës i mirë i “blerjeve”, por edhe i vjedhjeve, Caci ka organizuar të gjithë mekanizmin e korrupsionit të famshëm të dikurshëm, thjesht e vetëm grumbullimin e ca votave, që rrezikojnë të rrjedhin drejt rivalëve, kryesisht atyre të LSI-së. Një luftë e brendshme e pakompromis që rrezikon të përshkallëzojë fushatën elektorale të PS dhe LSI në skajin jugor të vendit. Gjithsesi, krahas denoncimeve të Vangjel Tavos se ka një marrëveshje të PS-së atje me demokratët, në kurriz të LSI-së, Cac Angjeli si njohës i mirë i skutave të korrupsionit, pasi jo më kot mban staturën e “mamuthit” që çoi në rrënim financat e shtetit, po hedh lekët në këmbim të votave të munguara në qarkun e Gjirokastrës. Një përpjekje sa antiligjore aq edhe bastarde në kuptimin e drejtpërdrejtë të falsitetit të alternativës që ofron Edi Rama dhe Cacët e tij të korrupsionit. Qytetarët e Gjirokastrës kanë vendosur – ata do të vazhdojnë ndryshimin me Partinë Demokratike dhe kryeministrin Berisha, si alternativa që është më pranë interesave të qytetarëve. Mamuthët e korrupsionit e kanë marrë njëherë përgjigjen nga shqiptarët, herën e dytë vjen kapitullimi përfundimtar. Dhe ai është jo larg, por pas dy ditësh. 23 Qershor.
...