Vëzhgimi/Saimir Tahiri, protagonist i telasheve që pat komisariati policor i Lamajt në lagjen Kombinat

Prezenca e Saimir Tahirit, në homazhet e djeshme para trupit të pajetë të Kryekomisarit Dritan Lamajt, ishte sjellja më hipokrite dhe më e pafytyrë e ditës. Në një kohë kur ende, të paktën zyrtarisht, figuron një dosje hetimore në Prokurorinë e Rrethit të Tiranës për protestat e paligjshme të zhvilluara në Kombinat, nën pretekstin e mungesës së dritave, organizatori i tyre Saimir Tahiri, pas telasheve të bollshme që i ka nxjerrë edhe komisariatit të Policisë së Kombinatit (për kohën që drejtohej edhe nga Kryekomisar Dritan Lamaj), “derdh lot krokodili”.
Në homazhet e djeshme në nderim të Kryekomisarit Dritan Lamaj, mund të merrte pjesë kushdo drejtues a deputet i PS-së. Por jo Saimir Tahiri. Sepse ai me sjelljen e tij konfrontuese ndaj policisë së Kombinatit, në mos ka demonstruar inkurajim dhe nxitje të dhunës ndaj policisë nëpërmjet protestave të paligjshme, e sigurt është që ka demonstruar mungesë respekti dhe shpërfillje, për punën e policisë në këtë pjesë të Tiranës, njëherazi edhe për kreun e tyre, Kryekomisar Dritan Lamaj. Një figurë aq e njohur në Kombinat si Saimir Tahiri, kryetar “de facto” i minibashkisë, mund t’i bënte vetes një provim koshience pse “fjeti” mbi një konflikt për të cilin ishte kontribuues, e jo të shfaqej në homazhe, me një akt të pastër karshillëku ndaj forcave të policisë dhe familjes së kryekomisar Lamajt.