E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mbështetje të plotë policisë, në luftën pa kompromis ndaj krimit

26-02-2013 / Gazeta 55

I jepet lamtumira e fundit Kryekomisar Dritan Lamaj

Ministri i Brendshëm Flamur Noka: Policia e Shtetit më e vendosur se kurrë për të goditur krimin, në ruajtje të rendit dhe shtetit ligjor

Me hidhërim të thellë u përcoll dje për në banesën e fundit Kryekomisar Dritan Lamaj, trupi i të cilit  u preh në varrezat e Dëshmore të Kombit, në Tiranë. Në nderim të Kryekomisar Dritan Lamaj u zhvilluan homazhe në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë nga ora 12.30 – 13.45. Nën muzikën funebre, përfaqësues të lartë të Shtetit dhe Qeverisë Shqiptare, drejtues dhe punonjës të Policisë së Shtetit, kolegë dhe miq të të ndjerit, të afërm dhe bashkëqytetarë të tij, i kanë bërë nderimet e fundit Kryekomisar Dritan Lama, në një ceremoni e cila u zhvillua në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë.
Për t’i dhënë lamtumirën e fundit Kryekomisar Dritan Lama, kryen homazhe kryeministri Sali Berisha, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ai i Transporteve, Sokol Olldashi, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të artit, kolegë, familjarë dhe të afërmit, etj.
Kryeministri Berisha, u shprehu ngushëllimet më të sinqerta dhe dhimbjen më të thellë familjarëve, kolegëve, efektivave të Policisë së Shtetit dhe qytetarëve për këtë humbje. Zoti Berisha deklaroi mbështetjen tij të plotë dhe të qeverisë ndaj efektivave të policisë, në luftën e tyre pa kompromis ndaj krimit, në ruajtje dhe mbrojtje të rendit publik dhe shtetit ligjor.
Në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ministri i Brendshëm Noka, drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, në prani të familjarëve dhe qytetarëve të thjeshtë, i dhanë lamtumirën e fundit Kryekomisarit Dritan Lamaj.
Më herët, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, gjatë vizitës në familjen e Kryekomisar Dritan Lamaj, shprehën ngushëllimet më të sinqerta në emër të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, dhe ato personale, duke shtuar se humbja e parakohshme e Kryekomisarit, bashkëshortit dhe babait, ka mbushur me trishtim të thellë jo vetëm familjen dhe të afërmit e tij, por edhe këdo që e ka njohur e ka punuar me të, si dhe çdo shqiptar. Noka dhe Burgaj garantuan familjarët e të ndjerit se mbështetja e Qeverisë dhe e Policisë së Shtetit ndaj tyre nuk do të mungojë kurrë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›