Vëzhgimi/Zoti Rama, çfarë bëre për testin e drogës dhe atë të shëndetit mendor?

Kryetari i opozitës vijon të shfryjë me fjalor të ulët e pothuajse në gjendje transi dhe refuzon t’i vërtetojë publikut gjendjen e tij shëndetësore e mendore, si provë se ai duhet të merret seriozisht në garën për përgjegjësinë e kreut të ekzekutivit
Në qytetin e Beratit kanatat e 1 mijë dritareve u mbyllën për shkak të çjerrjeve në tone të larta të kreut të PS, Edi Rama që po i jepte xhevap pyetjeve që vetë i shtronte. Pse e përmbysëm diktaturën, pyeste në mënyrë retorike Edi Rama, ndërsa kundër-pyetja do të ishte pse ai ndodhej në Selanik dhe jo në Tiranë, me vizë të Ramiza Alisë kur studentët e rrëzuan bustin e diktatorit. E ndërruam sistemin, deklaronte në Berat njeriu që s’ka përmbysur asgjë. Në fakt para dy dekadash ndërroi dhe Partia Komuniste e cila u bë Partia Socialiste që 20 vite me vonë ka në krye djalin e anëtarit të presidiumit popullor, Edvin Kristaq Rama, si provë që jo të gjitha gjërat ndryshojnë.
Kuptohet vetiu, jo vetëm për kësisoj gjepurash programi i “Rilindjes” në Berat mori një goditje poshtë brezit, por sepse Edi Rama nuk po di sesi ta sjellë situatën në dorë dhe për të fituar kohën që s’e ka, shpik fjalime pa fund e pa lidhje me realitetin.
Fitorja është shumë qindra mijëra kilometra larg. Nuk ka yll në qiell që ta ndriçojë. Rruga e fitores pas 8 vitesh marshim pa fituar një betejë e ka sfilitur një grup drejtuesish të lartë të opozitës që hap sytë dhe mbyll veshët sapo kryetari flet për suksesin e 23 qershorit.
I kapluar nga nervozizmi i tendosur kryetari i opozitës së përbashkuar me një qëllim, Edi Rama sulmoi jeri ç’i vinte në mendje: Presidentin Nishani, kryeministrin Berisha, Gjykatën e Lartë, Policinë e Shtetit, KQZ,etj. Rama nuk përmbahej fare në fjalor dhe në krahasime duke u dalluar për një radikalizëm që është shumë vite larg seriozitetit që ka një pretendent për kryeministër.
Ai sillet si një kryetar i një lëvizjeje radikale populiste që do të përmbysë shtetin dhe të instalojë një model eksperimental duke e kthyer vendin në një laborator çmendurish kolektive.
Padyshim nuk jemi vonë të themelojmë standardin e testimit dhe kontrollit mjeko-ligjor të kandidatëve për kryeministër. Ndaj Edi Rama si kandidat duhet të pranojë sfidën publikë që gazetarë dhe deputetëve të Kuvendit që të publikojë testin e drogës dhe kartelën e shëndetit mendor, si një provë e kapaciteteve të tij për t’u kërkuar votën shqiptarëve. Sigurish bashkë me të ai duhet të paraqesë edhe faturat e pallatit të bashkëshortes Linda Rama apo aktin noterial të huas së saj 100 milionëshe, si një provë e transparencës së pasurisë së tij.
Sido që të jetë përgjigja e Edi Ramës ndaj kësaj sfide publike, një gjë duhet thënë me patjetër: ai ka disa vite që ka vënë një maskë të gënjeshtërt me të cilën një herë shfaqet i varfër, një herë i martuar, një herë familjar dhe së fundmi patriot.
Për të hequr një maskë duhen prova shkencore, laboratorike, të cilat mund të konfirmojmë besueshmërinë e kandidatit për kryeministër të opozitës. Edi Rama e ka detyrim publik të paraqesë kartelën e tij mjekësore, si sinjal për stabilitetin psikofizik të kryeministrin të ardhshëm të vendit. Kjo është një çështje e sigurisë kombëtare të një vendi të NATO-s.