E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëzhguesit në zgjedhje kthehen në ngërç për KQZ-në, ndërpritet sërish mbledhja



Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shtyjnë sërish mbledhjen për miratimin e procedurave dhe të kritereve të vëzhguesve. Debatet nisën kur anëtarët do të votonin Nenin 9, pika 3, që ka të bëjë me mjetet e identifikimit që vëzhguesit vendas duhet të paraqesin pranë qendrave në të cilat ata do të akreditohen ditën e zgjedhjeve, më 28 qershor. Për këtë pikë pati dy propozime të bëra nga dy anëtarët e KQZ-së, Subashi dhe Osmani. Subashi propozoi që KQZ-ja të përcaktojë qartë mjetet e identifikimit me të cilat vëzhguesit duhen të paraqiten, në mënyrë që të mos ketë kontestime ditën e zgjedhjeve. Ndërsa anëtari tjetër i këtij komisioni, Osmani, tha se duhet ta lënë ashtu siç është. Këtë ai e argumentoi me mundësinë që lë kjo pikë në rast të shtimit të ndonjë mjeti tjetër identifikimi. Kjo, sipas tij, nuk do ta detyronte KQZ-në që të rimblidhej për të marrë një vendim tjetër. Anëtarët vendosën që të diskutohet të mërkurën.
Një tjetër çështje që u diskutua dje kishte të bënte me të drejtën për të miratuar vëzhguesit. U bënë ndryshime në Nenin 3, i cili lejon tashmë që KQZ-ja t’u delegojë KZAZ-ve kontrollin e kritereve që duhet të plotësojnë vëzhguesit. Në ndryshimet e bëra parashikohet që partitë politike ose vëzhguesit t’i paraqesin KQZ-së ose KZAZ-ve listën e vëzhguesve. Në rastin kur subjektet politike do t’i dërgojnë për miratim KZAZ-ve, këtë duhet ta bëjnë jo më pak se 20 ditë nga data e zgjedhjeve. KZAZ-të kanë 5 ditë afat që t’ia paraqesin KQZ-së dhe ky duhet t’i miratojë ato. Pavarësisht miratimit të këtij neni, anëtari i KQZ-së, Klement Zguri, e quajti atë antiligjor. Sipas tij, ndryshimet duhet t’i bënte Parlamenti dhe jo KQZ-ja. “Këtë delegim nga KQZ-ja te KZAZ-të nuk e lejon Kodi“, - u shpreh Zguri. Në çdo rast ai e quajti këtë si antiligjor dhe do të lërë shkas për parregullsi në zgjedhjet e ardhshme. Kjo pikë u bë objekt polemikash edhe ditën e hënë. Përfaqësuesit politikë dhe anëtarët e KQZ-së debatuan ashpër dhe nuk arritën të binin dakord.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›