Via Croatia
AGRAM: Në disa medie austriake ende përdoret ky toponim. Fjala është për Zagrebin, kryeqytetin e Kroacisë. Ka disa shpjegime për këtë emër vendi. Disa supozojnë se Zagreb buron nga folja zagrabiti (të nxjerrësh (ujë)/të rrokësh diçka me dorë, të tjerët mendojnë se buron nga thënia za bregom (pas malit apo kodrës) ose za grebom (pas pendës). Prej njërës nga këto fjalë duket se është formuar toponimi gjerman Agram gjatë sundimit të Kroacisë nga Perandoria Austro-Hungareze.
Kush ndërmerr një shëtitje nëpër këtë qytet shpejt do të vërejë gjurmët e Monarkisë danubiane: parqe të ndërtuara me zemërgjerësi, godina që u ngjajnë simotrave në Vjenë e Budapest, banesa me tavan të lartë. Fjalët gjermane që përdoren në komunikimin e përditshëm në Zagreb e gjetiu në Kroaci janë aq të shumta, saqë do të mbushnin më tepër se një faqe gazetë. Në Zagreb janë botuar edhe dy gazeta në gjuhën gjermane: Agramer Tagblatt dhe Agramer Zeitung, e cila për herë të parë u shtyp në vitin 1830.
BRIJUNI/BRIONI: Një arkipelag ishujsh në Adriatikun e epërm, afër Italisë, të cilët në vitin 1893 i bleu industrialisti austriak Paul Kupelwieser. Një vit më parë, më 1892, në një familje kroato-sllovene në fshatin Kumrovec kishte lindur Josip Brozi, më vonë i njohur si Tito. Pas Luftës së Dytë Botërore udhëheqësi i Jugosllavisë socialiste e shndërroi njërin nga ishujt e arkipelagut në rezidencë verore, këtu ai priti liderë botërorë dhe yje të kinemasë. Sot këtu mund të shihet një papagall, i cili dikur, sipas legjendës, thoshte fjalën Tito, disa lopë nga India (dhuratë e kryeministrit të Indisë, Javaharlal Nehru) si dhe zebrat dhe elefanti Lanka (dhuratë e kryeministres së Indisë, Indira Gandi).
CIBONA: Ekip legjendar i basketbollit, ku luante Drazhen Petroviqi.
DANAS: Revistë politike kroate. Platformë e rëndësishme e zërave opozitarë nga mbarë Jugosllavia. Në gjysmën e dytë të viteve 80-të revista lexohej shumë edhe në Kosovë për shkak të kritikave ndaj politikës represive të Beogradit. Në këtë revistë kanë shkruar rregullisht edhe shumë autorë nga Prishtina.
DOLAC: Treg i famshëm i Zagrebit, ku nganjëherë mund të dëgjosh dialog në gjuhën shqipe mes shitësve të domateve dhe bananeve.
DRAGOJEVIQ, OLIVER: Këngëtar kroat. Debutoi në vitin 1961 dhe që nga atëherë mbetet njëri prej solistëve më të popullarizuar jo vetëm në Kroaci. Përkundër kërkesave Dragojeviq refuzon të mbajë koncert në Beograd.
DUBROVNIK: Raguza e dikurshme, një qytet i rëndësishëm ndërmjet dy Perandorive: asaj osmane dhe venedikase. Këtu Skënderbeu kishte marrë kredi për të financuar luftën e tij kundër osmanëve. Sot në këtë qytet punojnë shumë argjendarë shqiptarë, ndërsa zëvendëskryetar i qytetit të Dubrovnikut është socialdemokrati Niko alja (Nikë Shala). Përtej këtyre detajeve shqiptare Dubrovniku është njëri prej qyteteve më të rëndësishme të Kroacisë, qendër e turizmit dhe jetës kulturore, një portë e rëndësishme e vendit ndaj botës dhe fqinjëve me përjashtim të serbëve, forcat e armatosura të të cilëve bombarduan qytetin në fillim të viteve 90-të, duke shkaktuar dëme të mëdha. I pyetur se përse po shkatërronin perlën e Adriatikut, një komandant serb ishte përgjigjur: Do ta shkatërrojmë dhe do ta ndërtojmë një Dubrovnik edhe më të vjetër. Në sytë e shkrimtarit irlandezo-britanik George Bernard Shaw Dubrovniku ishte thjesht parajsë mbi tokë.
ESPLANADE: Hoteli më ekskluziv në Zagreb, i ndërtuar në fillim të shekullit XX-të për të pritur udhëtarët e Orient-Expressit, trenit të famshëm që lidhte Parisin me Stambollin. Gjatë Jugosllavisë së Titos strehë politikanësh të lartë të nomenklaturës komuniste, çerdhe artistësh të famshëm ndërkombëtarë dhe vendi ku ziente ushqim kuzhinieri më i njohur i vendit: Stevo Karapanxha, reklamuesi i Vegetës, kuzhinieri që kishte pushtuar zemrat e të gjitha amvisave nga Sllovenia në Maqedoni.
FIUME: Kështu i thonë italianët qytetit të Rijekës. Në gjermanishten e vjetër Rijeka njihet edhe me emrin St. Veit am Flaum (nga lumen, që është fjalë latine dhe domethënë lumë). Për hungarezët Rijeka është Szentvit. Të gjitha këto toponime të ndryshme tregojnë mbi një të kaluar nën pushtete të ndryshme.
GOTOVAC, VLADO: Poet, mendimtar, eseist dhe politikan kroat. I dënuar dy herë nga regjimi i Titos me burg politik dhe i rrahur gati për vdekje nga policia e presidentit Franjo Tugjman ai mbetet njëri prej disidentëve më të rëndësishëm të Ballkanit dhe është krahasuar shpesh me disidentin çek Vaclav Havel. Gjatë viteve 90-të Gotovac ka organizuar shpesh aksione në përkrahje të çështjes së Kosovës.
GOTOVINA, ANTE: Gjeneral kroat, ish-legjionar francez, i kërkuar nga Tribunali i Hagës për krime të luftës, i arrestuar në vitin 2005 në ishullin Teneriffa të Spanjës. Pasi u dënua me 24 vjet burg nga Gjykata e Hagës, sivjet befasisht u lirua si i pafajshëm nga shkalla e dytë.
HEBRANG, ANDRIJA: Politikan komunist kroat në Jugosllavinë e Titos, i akuzuar si spiun dhe me gjasë i vrarë në vitin 1949. I biri i tij me të njëjtin emër në vitin 1990 u anëtarësua në Bashkimin Demokratik Kroat (HDZ) dhe u zgjodh ministër i shëndetësisë i Kroacisë së pavarur.
HORVAT, JOZHA: Shkrimtar. U bë i njohur sidomos me ditarin e tij të mbajtur gjatë udhëtimit me anije nëpër botë, i cili u botua në dy vëllime me titullin emblematik Besa (I dhe II). Përse Besa? Pak para se të nisej nga bregdeti kroat me anije Horvat u kishte thënë miqve të tij se po u jepte fjalën shqiptare të nderit (besën) se do të shëtiste të gjitha oqeanet e botës. Dhe duke u nisur e pagëzoi anijen me emrin Besa.
HUDELIST, DARKO: Gazetar kroat, autor i një libri për tronditjet e mëdha politike në Kosovë në fund të viteve 80-të (Kosova Beteja pa iluzione).
ILOK: Qytet në lindje të Kroacisë, në kufi me Vojvodinën. Iloku është qendër e prodhimit të verës. Në këtë rajon jetojnë edhe pasardhësit e kelmendasve kosovarë, të cilët në vitin 1690 ikën nga Kosova bashkë me një pjesë të popullsisë sllave.
JERGOVIQ, MILENKO: Shkrimtar bashkëkohor kroat me prejardhje nga Bosnja, kolumnist gazetash dhe eseist. Veprat e tij letrare janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja dhe trajtojnë kryesisht periudhën e luftërave dhe marrëzive ballkanike në dy dekadat e fundit. Në hapësirën gjermane Jergoviq u bë i njohur me vëllimin me tregime Sarajevo Marlboro, në të cilin ai përshkruan jetën e njerëzve të thjeshtë nga Sarajeva e rrethuar.
JASENOVAC: Kamp i shfarosjes së serbëve, hebrenjve, partizanëve dhe komunistëve kroatë, romëve etj. nga ana e ustashëve, kolaboracionistëve kroatë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
