E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata aktuale është e tëra e politizuar

magdaNga Magdalena Ramohito

E dëgjova me shumë vëmendje kryeministrin e Shqipërisë, jo atë që rrit rrogat tani në ikje, por atë që e kemi besuar pjesa më e madhe e më e përgjegjshme e shqiptarëve, me gjithë shkopinjtë e fshehur nëpër rrota të rivalëve apo keqdashësve të tij. E besuam sepse na ka bindur me punën për rindërtimin e kryeqytetit, e besuam sepse është bindës në ato që premton, e besuam sepse estetikisht është më i miri (jo për sa i përket veshjes, sepse edhe Sali Berisha vesh kostume të bukura, e të tjerë më pak inteligjentë se ai me paratë që zotërojnë blejnë dhe veshin kostume të shtrenjta) e kam fjalën estetikisht në shpirt. Që do të thotë se i pëlqen gjerat e bukura e nuk mund të lejojë që në këtë vend të mbizotërojë e shëmtuara me të gjitha emrat që ka, e kjo nuk është pak.

Kam parë rastësisht në breg të detit personalitete politike shqiptare, të cilat edhe gëzojnë respekt tek populli i gjerë, por që estetikisht nuk janë të pranueshëm, dhe nuk të impresionon fakti tek sheh p.sh: Që një politikan me detyra të larta, të pijë një arkë me birra ulur në rërë e shishet, që mbaron së piri me një frymë, i hedh pas kurrizit të tij mbi grumbullin me plehrave të ngritur më parë nga qytetarët e thjeshtë.

Një tip i tillë politikani në publik mund të shfaqet i butë, i mirë kuptueshëm, jokonfliktual, por me shumë mangësi në estetikë.

Në përgjithësi i shohim politikanët në rrugë e në ambiente, që edhe ne i frekuentojmë, sidomos kur ata janë në opozitë, dhe sigurisht që ata janë një nga ne, me disa merita të veçanta, të cilat i ndihmojnë të ngjiten deri në forumet e larta të politikës dhe kaq.

Është komike pamja, por sheh ministra me kostum e kravata në breg të detit, ka të ngjarë, e bën për tu dalluar nga të tjerët, sepse është fakt që në Shqipëri një njeri që punon në një nivel mesatar të administratës, e vendos kravatën për tiu përshtatur vendit të punës, por edhe që njerëzit e thjeshte ta shohin si perëndi, ndonëse xhaketa e tij mund të ketë ca pika salce të pavëna re, që nga të darkuarit me miqtë mbrëmjen e shkuar.

Më ka rastisur të shoh politikanë me pretendime të mëdha për të drejtuar punët e komplikuara të shtetit, të hajë pothuajse i vetëm një qengj të tërë në mes të vapës, dhe sigurisht si rrjedhojë të thotë logjika, nuk mund të çuditesh kur sheh në një takim pune një drejtor (thonë i aftë profesionalisht) me xhepin mbushur me kikirikë dhe sa gjynah vaji i tyre duket jashtë xhepit.

Mund të tregoj këtu plot gjëra jo të hijshme, që dëftojnë një mungesë estetike, deri tek dhëmbët e mbushur me ushqim e të papastruar, jo nga pakujdesia, por pse nuk e kanë estetikën në gjak.

Ndërsa nuk dua ta harroj erën e djersës nëpër zyra, e cila është jashtë çdo norme.

Duket se të gjithë i dimë, por nuk i themi, që të shfaqemi si të mirë, jo të ashpër, por kjo nuk ndalon këtu.

Të ulur në tryezë për drekë punë mënyra e qëndrimit në tavolinë dhe një bllok shënimesh, të cilin duhet ta mbash pranë, sepse aty supozohet se punohet duke ngrënë, në palën shqiptare nuk e sheh.

Të gjithë këta tipa që mbahen si të aftë, por gjithë ditën nuk iu intereson fare puna, çuditërisht në televizion, impostohen mirë përpara kamerave dhe dinë të flasin për integrimin, për rritjen e mirëqenies, etj… por duket që nuk u del nga shpirti, ngjajnë si aktorë të dobët, që nuk të ngjallin pikë shprese dhe emocioni, por teknikisht janë korrekt.

Kjo është një pamje e parë sipërfaqësisht e shtetarëve tanë, por dihet që shumë gjëra të tjera, madje më të rëndësishmet, janë jashtë këtij shkrimi, sepse dëshiroj shumë që komentuesit ta plotësojnë këtë shkrim me gjithë pakënaqësitë apo defektet, që ata vënë re në administratën shqiptare.

Në vitet kur unë kam punuar në administratën shqiptare p.sh: kur dorëzoja punën tek shefi, me pasion i shpjegoja dhe merrja vlerësimin: Oh sa me shumë seriozitet e paske marrë?, ndërsa mendoja se kur të ndërrohet kjo qeveri e papërgjegjshme do të vijnë ata që ulërijnë në parlament duke treguar se ndjejnë dhimbje për këtë vend. Gati sa po e besoja, kur … erdhën ata dhe u sulën tek njerëzit asnjanës.

Nuk i prekën militantët, ndoshta sepse ishin të njohur deputetësh, vetëm se në vend të asnjanësve erdhën militantët e PD.

Sot kryeministri tha dhe me të drejtë se nuk do ta trondiste administratën, por cilën administratë?

Sali Berisha nuk la shanse që aty të punonin njerëzit asnjanës, që e deshën punën dhe ishin seriozë në të. Administrata sot është plot me militantë dhe militantët janë njerëz të sëmurë, ata nuk e njohin dashurinë për punën, por atë për partinë.

Unë nuk jam hakmarrëse dhe as që më shkon ndërmend një gjë e tillë , por unë kam punuar me militant në të njëjtën zyrë dhe ata jua them me gjithë sinqeritetin tim, bëjnë sikur punojnë, por ne fakt presin kur të çeli gjethi. Ata presin dhe ndihmojnë ta sjellin partinë e zemrës sa më parë në pushtet. I mbaj mend si tani, kur dëgjonin thirrje në rrugë, ata linin çdo punë e ngjiteshin në tarracën e ministrisë për të parë protestat dhe gëzoheshin si fëmijë të lumtur, çuçurisnin si zogj të gëzuar me shpresën se dita e tyre do të vijë. Ata madje ishin edhe shefa sektorësh edhe drejtorë, sepse Fatos Nano ndiqte filozofinë: të lëshojmë pak pushtet, për të bërë shtet, ndërsa asnjanësit shiheshin si njerëz UFO, madje të papreferuar Puna? Puna eh puna do të fillojë kur të thonë të mëdhenjtë

Fshesa e hekurt sigurisht është e rëndë ta dëgjosh, por kanë kaluar 8 vjet dhe njerëz asnjanës përveçse janë larguar me arsyetime: suprimim vendi pune dhe më pas u është ofruar teserë e PD, e pasi nuk e kanë pranuar për arsye karakteri, janë etiketuar komunistë dhe janë vendosur në lista të zeza, në mënyrë që të shfaroseshin si burime njerëzore.

Kryeministri i ri, që unë i uroj nga zemra gjithë sukseset për të mirën e të gjithëve, nuk mund të kapërcejë mbi dhimbjen e njerëzve të ndershëm e të pastër dhe me merita, të cilët janë hedhur në rrugë e janë përqeshur, stigmatizuar, për ti detyruar të futen në vathë përndryshe rruga e vetme mbetej emigracioni. Në rastin kur personat kanë qëndruar krenarë, shërbimet sekrete nuk janë ndalur deri dy ditë përpara zgjedhjeve.

Ky 8 vjeçar ishte si një luftë, nuk mund të dalloje më as militantë opozitarë, sepse edhe ata për mbijetesë kryenin nga një shërbim, tani shpresojmë se u çliruam nga përgjimet, kërcënimet, skemat stigmatizuese e gjithçka. Shumë mëri ka midis nesh, sepse nuk mund të kapërdihet që një shok i vjetër shkolle, apo shoqe të ketë qenë pjesë e përndjekjes, qoftë përmes përgjimit i detyruar e jo me vullnet

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›