E Shtunë, 31 Tetor 2026

Video kërcënuese e Al-Kaidës kundër Gjermanisë



Pas shfaqjes së një videoje të re të organizatës terroriste “Al Kaida” me kërcënime ndaj Gjermanisë, janë forcuar masat e sigurisë në vend. Ministria e Brendshme njoftoi, se pas videos së publikuar dje në internet supozohet rritje e shkallës së rrezikut. Sipas njoftimeve të mediave, mesazhi video përmban kërcënime për atentate nëse ushtarët gjermanë nuk tërhiqen nga Afganistani pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Prokuroria bëri të ditur se ka shumë gjasa që personi në video të jetë islamisti Bekkay Harrach, i cili jeton në Bon të Gjermanisë. Në fillim të vitit ai ishte shfaqur në një tjetër video me kërcënime terroriste kundër Gjermanisë. Prokuroria ka nisur hetimet kundër Harrach me origjinë marokene, nën dyshimin për anëtarësi në një shoqatë të huaj terroriste. Eksperti për terrorizmin në kanalin e dytë televiziv gjerman (ZDF), Elmar Theveen, tha, se videoja është pjesë e propagandës së Al Kaidës: "Bekkay Harrach ka jetuar për vite me radhë në Bon, ai e njeh shumë mirë Gjermaninë dhe pas burgimit në Siri ka shkuar në Afganistan, në kampin e Al Kaidës. Autoritetet besojnë se ai tashmë bën pjesë në rrethin e drejtuesve të organizatës terroriste përreth Osama bin Ladenit, dhe kjo është arsye pse videoja merret kaq seriozisht. Megjithatë videoja është pjesë e ofensivës propagandistike të Al Kaidës, me të cilën ajo synon të ngjallë frikë. Autoritetet gjermane presin shfaqjen së shpejti edhe të një videoje ku Osama bin Laden i drejtohet vetë popullit gjerman. Por, e përsëris, për momentin bëhet fjalë vetëm për propagandë, dhe nuk ka të dhëna për rrezik konkret".
Në një intervistë dhënë dje për radion “Deutschlandfunk”, ministri i Brendshëm i landit të Bavarisë, Joachim Herrmann, tha: "Këtë video kërcënuese duhet ta marrim seriozisht, pasi Harrach është një islamist i njohur, që është prej kohësh nën vëzhgim. Nga ana tjetër është e qartë se me këtë video bëhet edhe politikë. Ajo synon të përhapë frikë në radhët e popullsisë. Por nga ana tjetër, ne nuk mund të kontrollojmë çdo metër katror të Gjermanisë, 24 orë rresht. Duhet të vendosim prioritete, p.sh. në aeroporte apo stacione trenash, prania e policisë është përforcuar. Ne duhet t'u bëjmë të qartë terroristëve potencialë se jemi vigjilentë".

21 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›