Forca e Sigurisë së Kosovës nis detyrën
Forca e Sigurisë së Kosovës nisi zyrtarisht detyrën. Kjo u bë e mundur pas vlerësimin të strukturave të NATO-s se Forca e Sigurisë e Kosovës ka arritur kapacitetet fillestare për të nisur detyrën. Tetë muaj më parë, ushtarakë të NATO-s filluan të trajnojnë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Shumica e tyre ishin ish- pjesëtare të TMK-së, trupë kjo e cila u shpërbë në bazë të planit të Marti Ahtisarit. Tetë muaj më pas, Forca e Sigurisë së Kosovës arriti kapacitet e para dhe filloi zyrtarisht me detyrën. Në një ceremoni të organizuar në njërën nga kazermat kryesore të kësaj trupe, presidenti Fatmir Sejdiu, tha se FSK-ja, do të shërbejë si shembull i respektimit të larmisë etnike. “Republika e Kosovës është e vendosur që të ketë një forcë serioze të sigurisë, e cila do të shërbejë si shembull i respektimit të larmisë etnike që ka vendi ynë dhe diversitetit të pasur kulturor, që kemi trashëguar", - thotë Sejdiu. Në të njëjtën linjë shprehet edhe kryeministri Hashim Thaçi. “FSK është dhe do të jetë gjithmonë e hapur për t'u pasuruar me pjesëtarë nga të gjitha komunitetet kosovare, për të gjithë ata që synojnë Kosovën europiane", - thotë kryeministri Thaçi. Forca e Sigurisë së Kosovës në radhët e saj duhet të ketë së paku 20 për qind pjesëtarë të pakicave. Komandanti i kësaj force, gjeneral Sylejman Selimi, tha se kjo trupë është e hapur për të gjithë. “Ka mjaft pjesëtarë të pakicave në radhët e tyre edhe pjesëtarë të komunitetit serb. Kjo është një gjë e mirë dhe besoj se ky numër në të ardhmen do të rritet. Jam i bindur që në FSK të gjithë pjesëtarët e pakicave do të ndjehen mirë dhe ne do të punojmë bashkë me ta”, - tha gjenerali Sylejam Selimi.
Forca e re e Sigurisë së Kosovës do të ketë gjithsej 2500 pjesëtarë. Kjo forcë do të jetë e armatosur lehtë. Strukturat udhëheqëse të NATO-s disa herë kanë thënë se Forca e Re Sigurisë së Kosovës nuk do të jetë ushtri, mirëpo do të jetë e përfshirë në disa operacione të sigurisë së bashku me KFOR-in.
21 Shtator 2009