Vrasja e tranvestitit, autori dyshohet një endacak kosovar
Etleva Delia
Vrasja e tranvestitit me pseudonimin "Kristina", është kryer nga brenda grupit të tyre dhe i dyshuari kryesor është një endacak kosovar. Ky është versioni zyrtar i grupit hetimor të Policisë së Tiranës, që konfirmon se që nga momenti kur ka ndodhur vrasja e deri mbrëmë në orët e vona, janë shoqëruar për t'u marrë në pyetje mbi 50 persona. Sipas burimeve nga policia, "Kristina", emri i vërtetë i të cilit është Petrit Lucaj, 38 vjeç, me origjinë nga Elbasani, është vrarë mbrëmjen e së shtunës, nga një person brenda grupit të tranvestitëve, pas një konflikti të momentit. Ndërsa, sipas policit, roje të Drejtorisë së Burgjeve, i cili ka parë të gjithë skenën e krimit, mësohet se kanë qenë dy persona që kanë rrahur 38-vjeçarin dhe më pas njëri prej tyre i ka prerë qafën me thikë. Dëshmitari i ngjarjes tregon edhe skenën përpara se të ndodhte krimi dhe sipas tij, ka ardhur pasi ata e kanë pështyrë dhe më pas "Kristina" ua ka kthyer në të njëjtën mënyrë. Burimet tregojnë gjithashtu se të gjithë personat e shoqëruar për t'u marrë në pyetje, janë kryesisht tranvestitë dhe prostituta, me probleme të rënda psikike. Ndërsa trupi i pajetë i Petrit Lucajt, qëndron ende në morgun e kryeqytetit dhe askush nuk është interesuar për ta tërhequr që aty dhe për ta varrosur. Mësohet se 38-vjeçari kishte më shumë se 17 vite që ishte larguar nga familja e tij në Elbasan dhe jetonte në Tiranë, duke ushtruar një aktivitet të tillë, që sipas policisë është personal dhe pa tutorë. Grupi hetimor i ngritur nga Policia e Tiranës, vazhdon të hetojë intensivisht vrasjen e tranvestitit mbrëmjen e së shtunës në qendër të Tiranës, duke u përqendruar kryesisht në tre pista, atë të krimit pasionant, konkurrencës, si dhe pistën e "diskriminimit". Vrasja ndodhi dy ditë më parë, rreth orës 22:50 në qendër të kryeqytetit, përballë hyrjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku shumë vite më parë ndodhej një lokal. Ky vend frekuentohej vazhdimisht nga tranvestitët, tregon një polic i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Policia shpjegoi se identiteti i tij i plotë i viktimës është Petrit Lucaj, 38 vjeç nga Elbasani, banues prej më shumë se 17 vitesh në Tiranë. Ai ishte pjesë e një grupi tranvestitësh, të cilët qarkullojnë në kryeqytet duke u endur shpesh në kërkim klientësh. Burime zyrtare nga policia thanë se Lucaj ishte arrestuar disa herë, bashkë me persona të tjerë, për vepra të turpshme në publik, kryerje të marrëdhënieve seksuale apo homoseksuale, por ishte akuzuar disa herë edhe për vjedhje, pasi ishte denoncuar kryesisht nga klientë të grupit të tranvestitëve që ushtronin aktivitetin në zonën pas Pallatit të Kulturës. Nga hetimet e para, mësohet se autori mund të jetë një person, nga Kosova, njihet si endacak dhe ka pseudonimin "kosovari". Sipas policisë, ai është i dyshuari kryesor që e ka qëlluar viktimën me një thikë në pjesën e fytit. Sipas mjekëve ligjor, thika i ka dëmtuar arterien kryesore në qafë dhe ka sjellë një hemoragji të fortë. Viktima ka kërkuar ndihmë duke iu afruar policit tek porta e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i cili më pas ka lajmëruar policinë. Tranvestiti ka gjetur vdekjen rrugës për në Spitalin Ushtarak dhe është dërguar për ekspertim në Mjekësinë Ligjore. Ndërsa policia pohoi mbrëmë se brenda pak orësh do të arrestonte të dyshuarin kryesor si autor të ngjarjes.