E Diel, 1 Nëntor 2026

Video-pergjimi Meta-Prifti gjykata cakton ekipin per riekspertimin

Ardian Pollo, Ermal Beqiri dhe Artur Rrahmani janë ekspertët që Gjykata e Lartë ka caktuar për riekspertimin e videos që çoi në ndjekje penale kreun e LSI-së, Ilir Meta.

Të tre emrat e cituar janë ekspertë në shkencën e informatikës dhe do të bëjnë ekspertizën e video-regjistrimit Meta-Prifti.

Kolegji Penal me relator Ardian Dvoranin ashtu siç kishin vendosur në seancën e shkuar ka paraqitur emrat e 3 ekspertëve që duhet të bëjnë edhe një herë ekspertimin e video-përgjimit mes ish-zv/kryeministrit Meta dhe ish-ministrit të Energjetikes Dritan Prifti, ka paraqitur Ardian Pollon, Ermal Beqirin dhe Dritan Zotën.

Por prokurori Bujar Sheshi, e ka kundërshtuar ekspertin Dritan Zota pasi ky i fundit është shprehur për një të përditshme shqiptare lidhur me video-përgjimin dhe për këtë arsye nuk mund të ishte pjesë e procesit gjyqësor, por gjithashtu ka kërkuar që eksperti anglez të përfshihej sërish në riekspertim.

Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i avokatëve mbrojtës të Metës, Serjani dhe Velleshnja të cilët i kanë kërkuar Kolegjit Penal që eksperti anglez të mos pranohej si ekspert pasi në ekspertizën e parë ai kishte deklaruar se nuk i disponon të gjitha kushtet dhe mjetet për të zbardhur plotësisht pjesën e audios së video-regjistrimit.

Kolegji penal ka marrë vendim që ekspertët e huaj të mos përfshihen në riekspertim dhe ka zëvendësuar Dritan Zotën me Artur Rrahmanin.

Në seancën e radhës më 28 shtator tre ekspertet do të paraqiten para trupit gjykues dhe do të caktohen detyrat për ta e më pas do të fillojë pyetja e dëshmitarëve, ku dëshmitar i parë do të jetë ish-ministri i Energjetikës, Dritan Prifti.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›