E Shtunë, 31 Tetor 2026

ECOFIN: Në tetor ndihma për Greqinë, nëse zbatohen masat

WROCLAW- Ministrat e Financave të Eurozonës caktuan Tetorin si një tjetër afat, për të vendosur nëse do të paguhet kësti i ardhshëm i ndihmës në Greqi, por nuk arritën një marrëveshje mbi garancitë e kërkuara nga Finlanda për dhënien e ndihmës.

"Ne do të marrim vendimin tonë për këstin e ardhshëm të ndihmës në tetor, bazuar në konkluzionet e Trojkës", tha kryetari i Eurogroup Jean-Claude Juncker, në një konferencë shtypi pas takimit të ministrave të financave të eurozonës, në Wroclaw në Poloni.

Komisioneri i Financave në BE, Olli Rehn tha se "qeveria greke ka shprehur angazhimin e fortë për të përmbushur angazhimet e saj”. Ai njoftoi se në fillim të javës së ardhshme do të kthehet trojka në Athinë dhe në varësi të përfundimeve të saj do të merret edhe vendimi për këstin e gjahtë. Duke pasur parasysh se është ende e rëndësishme që Greqia të zbatojë masat shtrënguese për të marrë ndihmën e shumëpritur, Rehn deklaroi se "Topi është në oborrin e Greqisë", dhe sqaroi “qëllimi është që në fillim të tetorit të merret një vendim për disbursimin e parave "në mes të tij".
Por pavarësisht deklaratave optimiste të krerëve të Eurogrupit, në mbledhjen e Ecofin pati zëra të qartë që folën për mundësinë e falimentimit të Greqisë. Ministrja austriake e Financave, Maria Fekter, e cilësoi falimentimin e Greqisë një zgjidhje të mire përballë një tjetre me kosto shumë të lartë.
"Ne do të vazhdojmë rrugën tonë me vendosmëri, por nëse do të kemi një situatë që mund të jetë më e shtrenjtë se një alternativë, duhet ta marrim parasysh këtë alternativë'', - theksoi ajo.

Ministri grek i Financave Evangelos Venizelos informoi Këshillin mbi vendimet e marra nga qeveria greke për të arritur objektivin fiskal për deficitin e 2011 dhe 2012. Venizelos i cilësoi "vendimtare", ndryshimet strukturore për të krijuar në Eurozonë besim dhe siguri.
Sipas ministrit, në Eurogroup ka një diskutim të gjatë dhe të vështirë, dhe një pozicion i përbashkët është se Greqia duhet të implementojë plotësisht vendimet e Samitit të Euros së 21 Korrikut.
Ministri deklaroi se “të gjithë duhet të kuptojnë se në qoftë se grekët nuk i zbatojnë menjëherë ndryshimet strukturore, nëse nuk marrin dhe nuk zbatojnë vendime të vështira tani, ajo që do të ndodhë do të jetë me të vërtetë dramatike; falimentimi i Greqisë ose largimi i saj nga Eurozona".

Rëndësia e krizës në Eurozonë për ekonominë globale dëshmohej edhe nga prania, për herë të parë, e Sekretarit amerikan të Thesarit, Timothy Ggkainter në mbledhjen e ministrave të Eurogrupit.
Z. Gajtner u bëri thirrje qeverive evropiane për t'iu dhënë fund "deklaratave të paqarta" mbi një shpërbërje të mundshme të eurozonës.
Ndërkaq sipas njoftimit nga Shtëpia e Bardhë, Barak Obama do të takohet me zyrtarët evropianë që ndodhen në Nju Jork për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe do të shfrytëzojë këtë rast për të forcuar bashkëpunimin e tyre në çështjet kritike ekonomike.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›