Video-përgjimi, Prifti në Prokurori
“Dorëzova në Prokurori videon origjinale. Unë do të jem në dispozicion të Prokurorisë”. Me anë të kësaj deklarate, deputeti dhe ish-ministri i ekonomisë Dritan Prifti është shprehur pas daljes nga prokuroria e Tiranës. Ai ishte thërritur, përsa i takon çështjes së shumë debatuar e publikuar dy ditë më parë në media, ku zëvendëskryeministri Ilir Meta shfaqej në një dialog me të për disa tendera.
Ish-ministri Prifti është paraqitur në prokurori rreth orës 12:30 minuta ku i ka dorëzuar prokurorëve të Prokurorisë, kasetën e plotë me pamjet filmike.
“Sot u thirra nga prokuroria dhe reagova menjëherë pozitivisht për të dhënë dëshminë time për videon e transmetuar nga “Fiks Fare”. I kam sjellë prokurorisë videon orgjinale dhe shpresoj që ata që deklarojnë se janë kristal, t`u thonë të vërtetën shqiptarëve. U qëndroj deklaratave të mia dhe jam dhe do jem në dispozicion të drejtësisë gjithmonë”, ka deklaruar Prifti.
Dritan Prifti reagoi ditën e djeshme nëpërmjet një deklarate ku theksonte se videoja e transmetuar në media ku shfaqet ai dhe zoti Meta nuk është e montuar.