E Shtunë, 31 Tetor 2026

Video-skandali identifikohen dy marinsa amerikane

Dy prej marinsave që shfaqen në videon e shumërpërfolur të ushtareve amerikanë janë identifikuar. Mediat amerikane raportuan se ata i përkisnin Batalionit të 3-të, të regjimentit të dytë detar. Ky batalion ka qenë i shtrirë në një gamë të gjerë të luftimeve dhe situatave paqeruajtëse, nga Iraku, Afganistani dhe në Gjirin e Guantanamos .
Video e cila tronditi mbarë opinionin ndërkombëtar, ku shfaqeshin katër marinsa amrikanë që urinonin mbi trupat e tre luftëtarëve talebanë të vrarë në Afganistan.
Sekretari amerikan i mbrojtjes Leon Panetta jo vetëm e dënoi ashpër videon që tregon perdhosjen e talebaneve, por premtoi hetim të plotë mbi këtë incident dhe ndëshkim të personave pjesëmarrës.
“Kjo sjellje është absolutisht për të ardhur keq. Një qëndrim krejtësisht i pavend për pjesëtarët e ushtrisë amerikane. Ushtarët e përfshirë do të mbajnë përgjegjësi për veprimin e tyre”, tha Panetta.
Videoja e publikuar online, tregon katër marinsa në këmbë mbi disa trupa të pajetë, për të cilët thuhet se janë luftëtarë talebanë. Të paktën një nga kufomat është e mbuluar në gjak.
Dy prej ushtarëve janë identifikuar tashmë, ndërsa origjina e videos së shfaqur në YouTube, ende nuk është mësuar. “Të tilla veprime janë të pafalshme, tha Panetta.
Të njëjtin këndvështrim me të ndau dhe sekretarja e shtetit, Hillary Clinton, ndërsa incidentin e dënoi ashpër dhe Nato.
“Këto pamje janë të neveritshme, ndaj reagimi i menjëhershëm logjikisht është të kërkohen përgjegjësit. Shtetet e Bashkuara kanë nisur një hetim, që do të ketë mbështetjen e plotë të ISAF-it”, tha Carsten Jacobsen, ISAF.
Zemërimin e tij e tregoi dhe presidenti afgan Hamid Karzai, i cili e quajti episodin “ç’njerëzor`”. Ministria afgane e Mbrojtes e përshkroi si shokues.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›